Kroaci, mijëra pensionistë në protestë

Ballkan | Publikuar më 10.10.2017 në ora 17:47

Pensionistët në Kroaci organizuan protestë për të tërhequr vëmendjen në standardet jetësore në gjithë vendin, raporton AA.

Mijëra protestues morën pjesë në protestat e organizuara nga Sindikata e Pensionistëve të Kroacisë në qytete të ndryshme duke filluar nga kryeqyteti Zagreb dhe qytetet tjera Pula, Split, Osijek, Slavonski Brod dhe Zara, me sloganin “Fund varfërisë dhe poshtërimit të të moshuarve”.

Pensionistët të cilët morën pjesë në protestën që u mbajt në sheshin “Ban Jelaçiç” të Zagrebit përçuan mesazhin “Nuk jemi mbledhës të shisheve”.

Kryetarja e Sindikatës së Pensionistëve të Kroacisë, Jasna Petroviç, në një deklaratë gjatë protestës tha se takimet të cilat po vazhdojnë më shumë se dy vite gjysëm me qeverinë nuk po japin ndonjë rezultat.

“Është turp i madh që personat të cilët dikur kanë punuar nëpër shkolla e fabrika tani ushqehen nga shportat e mbeturinave”, tha ajo.

Duke theksuar se kërkojnë rritje të pensioneve nga qeveria, Petroviç thotë se disa prej pensionistëve përpiqen të mbijetojnë me 67 euro në muaj.

Zv/kryetari i Sindikatës së Pensionistëve të Kroacisë, Milan Tomiçiç thotë se standardet jetësore të pensionistëve në vend “janë në nivelin më të ulët” dhe se shumica e tyre jetojnë në kufirin e varfërisë.

Protestuesit mbajtën pankarta me mbishkrime “Na ktheni ato që morët nga ne”, “Fund tatimit për pronë” dhe “Ushqim në shportat e mbeturinave”.