Kryeministrat e Ballkanit Perëndimor pas darkës me përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federika Mogerini, u zotuan për bashkëpunim dhe më shumë përkushtim në rrugën euro-atlantike. Në darkën joformale që zgjati dy orë, e cila u parapri edhe nga takimet dypalëshe me Mogerinin, morën pjesë Zoran Zaev, Isa Mustafën, Edi Ramën, Aleksandar Vuçiq, Denis Zvizdiq dhe Dushko Markoviq,
Mandatari për formimin e qeverisë në Maqedoni Zaevi pas përfundimit të mbledhjes deklaroi se me kryeministrat e shteteve ballkanike kanë biseduar për përforcimin serioz të bashkëpunimit në rajon.
“Dal nga mbledhja pas takimit dypalësh me Përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federika Mogerini dhe nga darka e përbashkët me kryeministrat e Ballkanit Perëndimor akoma më i inkurajuar për perspektivat evropiane të vendit tim dhe të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor, Është biseduar për ndikimin më të madh, fokusimin më serioz të BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor që për ne është vetëm detyrim më shumë që të punojmë në perspektivat evropiane përmes reformave, përmes ndërtimit të miqësive në rajon dhe kuptohet plotësimit të kushteve për anëtarësim të plotfuqishëm në Bashkimin Evropian”, theksoi Zaev.
Sipas kryetarit të LSDM-së, i cili në këtë mbledhje ishte i ftuar si “i caktuar për kryeministër”, Bashkimi Evropian ka arsye më tepër, ndërsa duhet edhe vendet e Ballkanit Perëndimor t’i japin arsye shtesë nëse dëshirojnë që përfundimisht ky angazhim i Mogerinit, ndërsa edhe i gjithë Bashkimit Evropian ndaj Ballkanit Perëndimor të plotësohet.
“Folëm për të gjitha hollësitë, flasim për projektet rajonale, për mbështetjet e mëdha për projektet infrastukturore që janë në fazë të kryerjes dhe në fazë të aplikimit. Kemi folur për çështjet e hapura dypalëshe që ekzistojnë në rajon, e të cilat do të ishin pengesa për progresin e ardhshëm të vendeve drejt BE-së. Kuptohet, më me rëndësi ka qenë përforcimi i bashkëpunimit. Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federika Mogerini, lëshoi edhe kumtesë të sajën, por unë do të konfirmoj se praktikat e këtilla ajo i ka paralajmëruar si nevojë të rregullt të mbledhjeve të kryeministrave nga Ballkani Perëndimor me përfaqësuesit e lartë të BE-së, e sidomos me zonjën Mogerini”, shtoi Zaev.
Nga ana tjetër në njoftimin e zyrës së shtypit të BE, thuhet se të gjithë të pranishmit konfirmuan angazhimin e tyre të plotë për të vazhduar punën për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Ata përsëritën vendosmërinë e tyre dhe interesin e fortë të përbashkët për forcimin e bashkëpunimit duke sjellë rezultate të prekshme për jetën e qytetarëve të rajonit.