Në mbledhjen e kryesisë së BDI-së, kjo parti pritet të shqyrtojë opsionet e mundshme për formimin e Qeverisë së re si dhe formën e realizimit të negociatave. Negociatat e para do të jenë me VMRO-DPMNE si parti që e para mori mandatin, por nuk konfirmohet nëse bisedimet do të zhvillohen në nivel liderësh mes vetë Gruevskit dhe Ahmetit ose do të formohet një grup negociues. Nga ana tjetër, larg opinionit mbahen edhe vendimet e Komitetit ekzekutiv të VMRO-DPMNE ku është diskutuar mbi këtë çështje.
Komiteti i partisë ka dhënë autorizim të plotë kreut të VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski që të fillojë procesin e negociatave për formimin e Qeverisë së re. për këtë patëm një komunikatë dhe detajet i gjeni aty – deklaroi Timço Mucunski, VMRO-DPMNE
Në komunikatë thuhet se duhet të respektohet vullneti i shumicës së qytetarëve të cilët votuan koalicionin e udhëhequr nga VMRO-DPMNE. Madje kërkohet që lideri i LSDM-së Zoran Zaev dhe udhëheqja e kësaj partie të mbajë premtimin e dhënë para zgjedhjeve dhe të japin dorëheqje të parevokueshme për shkak të humbjes. Por nga LSDM-ja thonë se shumica e qytetarëve votuan për një qeverisje të re dhe u dhanë fund politikanëve destruktivë si Gruevski.
Populli u dha fund politikanëve destruktivë si Gruevski, i cili me retorikën e konfliktit me opinionin demokratik dëshiron që ta izolojë Maqedoninë. Qytetarët janë të vetëdijshëm se Gruevski atë e bën për të shpëtuar nga përgjegjësia por plani nuk do t’i ecë. I gjithë opinioni demokratik vendas dhe ndërkombëtar e dinë që filloi procesi i kthimit të jetës për qytetarët. Vjen koha e jetës cilësore, bashkimit, barazisë, lirisë, drejtësisë për qytetarët dhe Qeverisë që do të udhëheqë politika reale – thonë nga LSDM-ja.
Të pyetur nga Alsat nëse janë të gatshëm të pranojnë kushtet e kërkuara në platformën e përbashkët të partive shqiptare, nga LSDM-ja thanë se kjo parti, nuk ka marrë mandatin për formimin e Qeverisë, që të vlerësoi Platformën e përbashkët të partive shqiptare. Një vlerësim të platformës ata thanë se do ta bëjnë nëse e marrin mandatin për të filluar negociatat për qeverisje.
https://www.youtube.com/watch?v=RJhHLUJZTDs