Kur piktori sheh ëndrrat e shpëtimtarit të shqiptarisë!

Shkruan: Xhevdet POZHARI

Publikuar më 18.04.2017

Maqedonia sot ndodhet buzë greminës. Kjo për shkakun se ky shtet që ka ngecur seriozisht në rrugën e integrimit evropian për më shumë se një dekadë udhëhoq nga politikanë që ndarjet ndëretnike i shfrytëzuan për ta mbuluar bashkimin në krim. Maqedonia, si e tillë, mund të shërbej si shembull për të sqaruar edhe deklarimet e fundit të kryeministrit Edi Rama lidhur me mesazhet që ia dërgoi Bashkësisë Evropiane se nëse kjo familje nuk hap dyert për shqiptarët, atëherë Shqipëria dhe Kosova do të bashkohen. Deklarime të ngjashme, me tone kërcënuese kishte bërë jo shumë kohë më parë edhe Hashim Thaçi kur iu sfidua seriozisht pushteti. Mirëpo, shantazhuesi më i zëshëm i BE’se në hapësirat ballkanike, padyshim se mbetet ish kryeministri Nikolla Gruevski. Gjatë qeverisjes së tij, për ata që kanë pasur rast ta përcjellin fjalorin e tij politik, ai gjithmonë e kërcënonte bashkësinë ndërkombëtare me shpërbërje të Maqedonisë – siç ndodhe edhe tani, qoftë deklarativisht apo edhe duke iniciuar incidente nga më të ndryshme të cilat me kalimin e kohës dhe me publikimin e përgjimeve u dëshmua se ishin vepër e pushtetit që dëshironte të nxiste tensione ndëretnike sa herë që pushtetarëve me prirje diktatoriale iu rrezikohej pushteti. Gruevski, kryesisht, Evropën e shantazhonte gjoja në përpjekje për të mbrojtur Maqedoninë nga “rreziku” shqiptar dhe nga ambiciet e “Shqipërisë së Madhe”.

E, sot, Gruevski politikisht është i braktisur nga të gjithë, madje gradualisht nga ai ka nis të distancohet edhe shërbëtori më besnik i politikave të tij, Ali Ahmeti. Por, derisa në horizont shihet perëndimi i një diktatori, nga deklarimet e fundit paushalle nuk kemi si mos ta hetojmë se para syve tanë ka filluar ta shtrijë autoritarokracinë një tjetër politikan që synon të zë vendin e tij midis rilindasve shqiptar! Një mendësi diktatoriale që fillimisht ka zgjedhur të shtrijë autoritetin e tij në rrjetet sociale duke u përpjekur ngutshëm që të mbulojë të gjitha vrimat e zeza dhe boshllëqet personale dhe politike, e që më pas të vetshpallet si “Mesia i shqiptarëve”.
Andaj, është degutante kur dëgjon deklarime kryeministrash shqiptarë për bashkimin e Shqipërisë dhe Kosovës vetëm në rastet kur duan ta shantazhojnë BE’në, e jo pse kanë projekt dhe angazhohen me gjithë mend! Po të ishte ndryshe, të dy shtetet sot do ishin më të zhvilluara, e shkalla e krimit dhe korrupsionit do të ishte dukshëm më e ultë.

Bashkimi i Shqipërisë dhe Kosovës si proces është i pashmangshëm dhe i natyrshëm jo pse ky ishte vullnet i pushtetarëve tanë, por ngaqë ende nuk ka përfunduar ridefinimi i hartave të Ballkanit. Neve të “vdekshmëve” nuk na mbetet tjetër pos të shpresojmë që kur të vijë ky moment, trojet shqiptare mos të jenë më të tkurrura siç ka ndodhur historikisht, e ku rol të rëndësishëm kanë luajtur udhëheqësit shqiptarë.