Kurti: Agresionin dhe dhunën nuk e bënë serbët e Bosnjes, por vet Serbia

Ballkan | Publikuar më 22.11.2017 në ora 22:47

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Albin Kurti ka përshëndetur vendimin për dënimin e ish-gjeneralit serb Ratko Mladiq, me burgim të përjetshëm.

Përmes një statusi në Facebook, duke treguar historinë e formimit të Jugollsavisë dhe qëllimin e tyre për ndarjen e popujve, Kurti thotë se sot familjarët e viktimave në Bosnje mund të ndihen sado pak të lehtësuar.

Megjithatë ai thotë se nuk ishin thjeshtë serbët e Bosnjës që kanë bërë agresion atje, por vet Serbia.

Ky është postimi i tij:

Dënimi i kufizuar

Teza e shkrimtarit boshnjako-amerikan Aleksandar Hemon më duket e saktë. Më së shumti dhunë në luftërat në ish Jugosllavi përgjatë viteve të ’90-ta pati në Bosnje dhe Hercegovinë për shkak se aty ishte kohezioni më i madh shoqëror midis kombësive të ndryshme. Kroatët e serbët ishin më pak të lidhur e të bashkuar andaj në Kroaci pati më pak dhunë e luftë sesa në Bosnje.

Qëllimi i Serbisë ishte ndarja e njerëzve dhe popujve. Jugosllavia u nis në fillim të shekullit XX dhe u rrënua në fund të shekullit XX, për të njëjtin qëllim: që Serbia të zgjerohej, të bëhej Serbi e Madhe. Para një shekulli, ku ishte një serb thuhej të ishte Serbi, andaj metoda ishte ajo e kolonizimit serb në Jugosllavi. Para një çerek shekulli, ku ishte një varr serb thuhej të ishte Serbi, andaj metoda ishte agresioni serb në republikat jugosllave.

Më 5 prill 1992 forcat serbe e patën sulmuar Sarajevën. Me ndihmën e 260 tankseve të APJ-së ato e rrethuan qytetin. Gjatë muajit maj qyteti bombardohej me rreth 4.000 predha për çdo ditë. Nuk kurseheshin as spitalet, shkollat, sinangogat e xhamitë. U ndërpre ushqimi, furnizimi me ujë dhe me rrymë elektrike. Gjatë rrethimit të Sarajevës që zgjat 1.395 ditë vriten 10.615 persona nga të cilët 1.601 fëmijë kurse plagosen mbi 50.000 veta.

Vetëm për pak ditë ushtria dhe vullnetarët serbë patën vrarë së paku 8.327 boshnjakë në Srebrenicë në gjysmën e parë të korrikut të vitit 1995. Në Potoçari të Srebrenicës janë varrosur deri më tani 6.498 viktima. Gjatë luftës që zgjati mbi tri vjet e gjysmë komplekset industriale u patën shndërruar në kampe përqëndrimi. Masakrat e vuajtjet, dhuna e përdhunimet, në Bosnje dhe Hercegovinë, ishin më të tmerrshmet në Evropë që prej Luftës së Dytë Botërore.

Sot, gjenerali famëkeq serb Ratko Mladiq më në fund u dënua në Tribunalin e Hagës me burgim të përjetshëm. (Para gjashtë muajsh lideri politik i serbëve të Bosnjes, Radovan Karaxhiq, u pat dënuar me 40 vjet burg.) Natyrisht se kjo është për t’u përshëndetur dhe viktimat e familjet e tyre sadopak ndjehen të kompensuara për humbjet e tyre ndonëse me shumë vonesë. Megjithatë, ka tri probleme të tjera, shumë më të thella. Së pari, nga ata mijëra ekzekutorë serbë të krimeve në Bosnje, numri i atyre të arrestuar, gjykuar e dënuar është veçse dyshifror. Së dyti, krijesa e gjenocidit Republika Serbe atje vetëm sa është forcuar. Së treti, ishte Serbia ajo që kishte bërë agresion në Bosnje dhe dhunë mbi boshnjakët e jo thjesht serbët e Bosnjes.

Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, gjatë Luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, 4.000 oficerë serbë atje janë paguar nga Serbia. Po ashtu, i gjithë armatimi dhe uniformat iu shkonin nga Serbia. Prej 25.000 serbëve që u vranë në Bosnje, as 1/5 nuk ishin civilë! Nga gjithsej 100.000 të vrarë në Bosnje dhe Hercegovinë, gati 2/3 janë boshnjakë, prej tyre 30.000 civilë, si dhe 2.500 civilë kroatë të tjerë. Pra, jo thjesht Ratko Mladiq dhe as thjesht ushtarët serbë të Bosnjes, por në Beograd ishte bërë projekti dhe dirigjimi i atyre krimeve. Sot, u dënua njëri nga aktorët kryesorë, por jo regjisori dhe as skenaristi i krimeve mbi boshnjakët. Ky dënim i përjetshëm është aq i kufizuar.