Deputetët parashtruan pyetje për më shumë çështje në kompetencë të qeverisë dhe ministrive përkatëse, pjesa më e madhe e pyetjeve drejtuar vetë kryeministrit, Zoran Zaev.
Deputeti i Lëvizjes BESA, ndër të tjera, pyeti kryeministrin se a do t’i përmbahet premtimit për hetim ndërkombëtar të rasteve të montuara politike.
“A mendoni të ndërmerrni ndonjë hap konkret dhe të ngrini iniciativë për ngritjen e ndonjë hetimi ndërkombëtar për sqarimin e këtyre rasteve, për shkak se kjo është një pengesë e madhe për rehabilitimin e marrëdhënieve ndëretnike në vend, por edhe për avancimin e Maqedonisë drejt BE-së dhe NATO-s?”,– theksoi deputeti i Lëvizjes BESA, Afrim Gashi.
Zaev siguroi se premtimi qëndron në programin qeveritar dhe se në bashkëpunim me miqtë ndërkombëtarë po kërkojnë formulën se a do të realizohej ajo pa u shkelur pavarësia e pushtetit gjyqësor.
“Ne e kemi paraparë edhe në programin e qeverisë hetimin ndërkombëtar për raste për të cilat ka debat të hapur në RM. Ndërtohet mosbesim ndaj institucioneve, sidomos ndaj institucioneve të drejtësisë. Ato janë “Liqeni i Smillkovës”, rasti “Nikolla Mlladenov”, rasti “Kumanova”, “Lagja e trimave”, “Sopoti” dhe disa raste të tjera. Thelbi qëndron në atë se si të sigurohet hetim ndërkombëtar që qytetarët përfundimisht ta dinë të vërtetën”,- u shpreh kryeministri, Zoran Zaev.
Ndërkaq, deputeti i opozitës, Ilija Dimovski, kërkoi sqarim nga Qeveria për shënimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve me simbol të BE-së.
“Prej nga vendimi që të vini simbolin e BE-së në atë ligj pa marrë parasysh aspektin e problemeve politike që u paraqitën në Kuvend si dhe komentin e eurokomisarit Han për këtë ligj, i cili dëshmon se ky ligj nuk është pjesë e prioriteteve të Maqedonisë në rrugën europiane?”,– theksoi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski.
Sipas kryeministrit Zaev, ligji është pjesë e programit kombëtar në harmoni me të cilin vihet simboli i BE-së dhe është në vijë me përcaktimin për evropianizimin e vendit.
“Marrë parasysh se të drejtat e barabarta të qytetarëve janë edhe vlera europiane të miratuara sipas vendimeve, deklaratave, konventave dhe rezolutave të BE-së. Diçka me rëndësi në rrugën e evropianizimit të RM-së vendosëm të jetë pjesë e programit kombëtar, në harmoni me të cilin vihet simboli i BE-së. Komisari Han aludonte në atë se ka prioritete edhe më të mëdha në skedarin e reformave, siç janë reformat në gjyqësi, në Administratën Publike dhe shërbimet sekrete, por nuk kishte vërejtje se pse ishte me simbolin e BE-së ose jo”- tha kryeministri, Zoran Zaev.
Edhe kanali i dytë në RTVM do të jetë 24 orë, vetëm në gjuhën shqipe. Deputeti Grupi pyeti ministrin e administratës a janë paraparë në buxhetin për vitin 2018 paratë e nevojshme për zbatimin e këtij projekti.
“Më intereson, në buxhetin e vitit të ardhshëm, në cilën pjesë të këtij buxheti parashihen këto tre milionë euro shtesë për Radiotelevizionin shtetëror, me të cilën do të rregullohet emetimi 24 orësh i këtij kanali në gjuhën shqipe, por edhe të një kanali të veçantë në gjuhët e komuniteteve të tjera në Maqedoni?”,– pyeti deputeti i BDI-së, Artan Grubi.
Mançevski konfirmoi se në buxhet janë paraparë para për një kanal të ri televiziv dhe nuk përjashtoi mundësinë që e njëjta të zbatohet edhe në Radio Shkupin.
“Në buxhetin që kemi paraparë është edhe ky aktivitet. Në vendin tuaj nuk do të isha mbështet në vlerësime financiare nga ana e RTVM-së. Pasi marrë parasysh gjendjen financiare në të cilën ndodhet, do kisha dashur të dëgjoj ndonjë burim më relevant me vlerësim se çdo të thotë zbatimin i një programi shtesë. Detajet se si do të zbatohet sërish janë çështje e menaxhmentit të RTVM-së”,– u shpreh ministri për Shoqëri Informatike dhe Administratë, Marjan Mançevski.
Deputetët parashtruan pyetje edhe për zhvillimet në fushën e ekonomisë dhe luftën kundër korrupsionit.