Mbetja në gjysmë e seancës konstituive të Kuvendit dhe vendosja në pamundësi për të funksionuar institucioni ligjvënës, sipas ekspertëve politik, vjen vetëm si rezultat i mospasjes së vullnetit politik të liderëve. Eksperti Robert Nesimi, vlerëson se Kuvendi duhet të zgjidh kryetar dhe të vazhdojë punën e tij, pasi qytetarët kanë votuar për zgjedhje të deputetëve dhe jo të Qeverisë. Ai madje jep edhe shembuj në shtetet evropiane se si Kuvendi ka punuar me vite pa Qeveri.
“Si organ ligjvënës parlamenti mundet prej sot të mblidhet të nis të debatojë, të votojnë ligje, nuk kanë çfarë të presin ato formimin e Qeverisë për të sjellë ligje. Teorikisht shteti mund të funksionojë edhe pa Qeveri politike, dhe kjo ka qenë rast për një kohë në Belgjikë dhe në Çeki. Por e gjithë kjo mund të bëhet vetëm nëse parlamenti e kryn punën e vetë siç duhet. Unë nga ana tjetër nuk befasohem pse po ndodh ajo që ndodh tani tek ne, sepse është krijuar një logjikë e mbrapshtë, ku parlamenti vazhdon të mbetet peng i partive politike dhe Qeverisë, a në fakt duhet të jetë e kundërta”, ka thënë Robert Nesimi, analist politik.
Ndërsa gazetarja Mira Kostiq, potencon se për këtë arsye edhe kryesuesi i seancës konstituive Trajko Veljanovski, i cili ishte kryetar i Kuvendit, nuk e përfundoi seancën por e la të hapur për ta vazhduar, me qëllim që të mund ta thirr sërish atë, nëse ka nevojë për ndonjë çështje urgjente dhe të domosdoshme.
“Në qoftëse seanca konstituive mbyllej dhe përfundonte atëherë nuk do të kishte kush të thërrasë seancë të re të Kuvendit që të zgjedh kryetar dhe do të kishim Kuvend me mandate të verifikuara të deputetëve dhe nuk do të kishte kush të thërrasë seancë të kuvendit. Prej këtu mendoj se kjo situatë është e parë, për shkak se deri më tani kemi pasur kryetar të zgjedhur të kuvendit”, ka deklaruar Mira Kostiq, gazetare.
Gazetarja Kostiq madje potencon se situata e këtillë është e para në vend pasi për momentin kemi edhe Qeveri teknike. Në seancën konstituese të Kuvendit e cila u udhëhoq nga ish-kryetari Trajko Veljanovski u verifikuan mandatet e deputetëve të zgjedhur por, nuk i zgjodhën kryetari i Kuvendit dhe anëtarët e Komisioneve parlamentare.