Qëndrimin e mbrëmshëm të BDI-së se ende nuk ka marrë vendim për opsionet të cilat i ka në shqyrtim, analistët politik e komentojnë në fakt si vendim në heshtje. Sipas tyre, kjo nënkupton se BDI nuk do që të bëjë koalicion, përderisa mandatar është Nikolla Gruevski. Mirëpo, analisti Petar Arsovski, thotë se VMRO-DPMNE nëpërmjet komunikatës së saj, bëri me dije se nuk do të bëjë koalicion me BDI-në me këtë çmim, dhe se dëshiron zgjedhje të reja.
“Mbrëmë nga BDI thanë se nuk kanë sjellë asnjë vendim, por kjo nuk është e saktë deri në fund. Ata sollën vendim që të mos bëjnë Qeveri me Gruevskin si mandatar. Me vetë tejkalimin e afateve, ata miratuan këtë vendim. Në këtë kuptim, zvogëlohen mundësitë për permutacionet e ardhshme në skenën politike”, ka deklaruar Petar Arsovski, analist politik.
Arsovski thotë se tani ngushtohet hapësira për manovrimet e mëtejme, por shtoi se akoma të gjitha mundësitë janë të hapura. Ndërkohë, hapin e BDI-së që mos sjellë vendim, analisti Aleksandar Dashtevski e cilëson si të gabuar. Më herë, thotë ai, vetë BDI-ja kërkonte që të respektohet parimi i koalicionit mes fituesve, e tani pikërisht kjo parti po e shkel këtë parim.
“Kujtoj se BDI-ja vetë kërkonte në vitin 2007, e që u realizua në vitin 2008, që koalicion të bëjnë fituesit nga blloku shqiptar dhe maqedonas. Kjo faktikisht, u përmbush në të kaluarën, ndërkohë që tani ata vetë nuk e respektuan këtë. Dëgjuam mbrëmë nga Bujar Osmani se ata shqyrtojnë 5 opsione, e nuk e shqyrtojnë vetëm opsionin e koalicionit me fituesin”, ka deklaruar Aleksandar Dashtevski, analist politik.
Hapin e mbrëmshëm të BDI-së, Dashtevski e konsideron vetëm si prolongim të koalicionit me VMRO-DPMNE-në. Ndryshe, sipas tij, vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme. E kur jemi tek zgjedhjet, analisti Bashkim Bakiu thotë se ato do të ishin të dëmshme për shqiptarët, pasi vështirë se do të përsëritej kjo situatë ku mund të kushtëzohen partitë e bllokut maqedonas. Sipas tij, stërzgjatja e mbledhjeve dhe konsultimeve brenda-partiake në Reçicë të Vogël, është pjesë e taktikave të paramenduara më herët.
“Sinqerisht shpresoj se kjo nuk është taktikë e paramenduar bashkërisht me VMRO-DPMNE-në me qëllim që të shkohet në zgjedhje të parakohshme. Sinjalet e para i dha mbrëmë VMRO-DPMNE për të realizuar që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, dhe partitë shqiptare duhet t’i shmangen kësaj loje, për shkak se ky pozicion nuk mund të arrihet për të kushtëzuar faktorin politik maqedonas”, ka thënë Bashkim Bakiu, analist politik.
Të gjithë analistët janë të mendimit se fatkeqësisht, Maqedonia po vazhdon të mbetet në krizë dhe se nuk mund të pritet një zgjidhje e shpejtë e saj.