Në ditën Botërore të Tokës, Lëvizja BESA – Karshiakë përmes fotografive ka paraqitur gjendjen faktike me deponitë e egra në vendbanimet e Komunës së Studeniçanit. Përmes një reagimi me shkrim Lëvizja BESA – Karshiakë ka kritikuar udhëheqësinë aktuale të Komunës së Studeniçanit se kanë dështuar në ruajtjen e ambientit ekologjik.
“Derisa sot me 22 Prill shënohet Dita Botërore e Tokës gjithandej nëpër botë por edhe në Maqedoni në vende të ndryshme me aktivitete vetëdijësuese për ruajtjen e tokës e deri te pastrimi i deponive ilegale, udhëheqësia e Komunës së Studeniçanit thuaj se nuk kanë dëgjuar se ekziston një ditë e këtillë ndërkombëtare që i dedikohet tokës dhe mbrojtjes së ambientit në përgjithësi nga ndotja.
Kjo është kështu pasi ata kanë dështuar plotësisht në sferën e ekologjisë në përgjithsi por kanë dështuar në veçanti edhe me menaxhimin e mbeturinave nga NKP “Studeniçani” në territorin e Komunës sonë ku gjendet deponija Drislla, si ndotës i cili rrezikon jetën e banorëve të Batincës dhe për të cilën asnjëherë autoritetet komunale nuk u prononcuan se vallë a importohen mbeturina me rrezik të lartë.
Gjithashtu problem serioz janë edhe deponitë e egra të cilat i hasim gjithandej, ku vetëm në fshatin Studeniçan egzistojnë deponi të egra në më shumë se katër lokacione, të cilat për 4 vite nuk i kanë parë këta politikan në ikje, të vetmit të mbetur “verni do smrt” të Menduh Thaçit. Lëvizja BESA është e përcaktuar që t’i kushtoj vëmendje të veçantë ruajtjes së ambientit jetësorë dhe do të angazhohet me seriozitet për t’i zgjidhur problemet ekologjike, konform standardeve bashkëkohore, gjithandej vendbanimeve shqiptare si dhe në Komunën e Studeniçanit”, thuhet në reagimin e Lëvizjes BESA – Karshiakë.