Lëvizjen BESA sërish do ia kthejmë popullit, edhe përkundër pisllëqeve që bëjnë karrieristët e sëmurë politik

Flash | Publikuar më 09.01.2018 në ora 20:11

Emad MEHMETI

Ne të rinjtë e Lëvizjes BESA mirë bëmë që nuk u besonim atyre që na thoshin të kemi kujdes, sepse disa nga themeluesit dhe drejtuesit e partisë sonë, shkojnë në xhami jo për t’u lidhur me Zotin, por për ta fshehur fytyrën e vet të djallit. Dhe se shumë nga ata që na shiteshin si atdhetarë të flakët e fetarë të devotshëm , nuk janë gjë tjetër përpos se të etur për pushtet e për poste. Mirë bëmë që nuk u besuam këtyre thënieve, sepse vetëm kështu mund të arrinim rezultatin që arritëm gjatë zgjedhjeve parlamentare: të bëhemi forca e dytë shqiptare në Maqedoni.

Ne të rinjtë e Lëvizjes BESA mirë bëmë që nuk e bëmë të madhe dukurinë që përshiu partinë tonë gjatë zgjedhjeve lokale, kur u pa qartë se disa drejtues të partisë sonë, atë e konsiderojnë si dyqan të vetin privat dhe se ata duhej të ishin në të gjitha postet, ndërkaq ne të tjerët duhej t’i shërbenim përmbushjes së ambicieve të tyre të sëmura politike. Mirë bëmë që nuk e bëmë të madhe këtë dukuri, sepse vetëm kështu mund ta forconim Lëvizjen tonë dhe të arrinim rezultatet që arritëm.

Ne të rinjtë e Lëvizjes BESA, mirë bëmë që në emër të besnikërisë ndaj idealit dhe premtimeve që i ia kishim dhënë popullit, lëshuam pe edhe lidhur me shumëçka që kishte të bëjë me teket personale të atyre që mendonin se më të vlefshëm janë ata se partia, por ka ardhur koha kur më nuk duhet t’u lëshojmë pe atyre që as kanë frikë Zotin, e as u turpërohen njerëzve. Ka ardhur koha pra kur nuk duhet të lejojmë që mbi vullnetin rinorë dhe mbi shpresën rinore të shkelin ata që besojnë se bravat e selisë partiake ndërrohen sa herë që të rrezikohet posti i kryetarit, se në selinë partiake mund të hysh dhunshëm si në kafenenë e fshatit tënd dhe se, në krye të partisë rrihet me revole në brez, si me qenë në krye të ndonjë bande hajdutësh e kriminelësh.

Po pra, ne të rinjtë e Lëvizjes BESA duhet t’u themi mjaftë më atyre që mendojnë se bravat e selive ndërrohen me dhunë, se kryetar partie mund të mbetesh dhunshëm. Apo që mendojnë se Lëvizjen BESA mund t’ia japin Zaevit, që përpos BDI-së, ai të ketë edhe BESËN tonë.

Pra ne të rinjtë e Lëvizjes BESA duhet hapur të themi se edhe pse e dimë se kush e hapi gropën septike të partisë sonë dhe se kush atë e mbushi me pisllëqe nga më të ndryshmet politik, prapë se prapë asgjë nuk mund të na zmbrapsë. Madje e gjithë kjo që ndodh në partinë tone ka edhe një të mirë: e tregon fytyrën e vërtet të të gjithë neve që betoheshim se më pare e japim jetën se të shkelim Besën e dhënë popullit. Pra e zbulon fytyrën tone të vërtet, qoftë ajo e maskuar me simbolet atdhetare, apo me mjekrën e fetarit dhe maskën e politikanit! E ndërkohë, neve të rinjve të Lëvizjes Besa na mbetet në hise që ta pastrojmë atë nga të gjitha fëlliqësirat politike dhe t’ia kthejmë popullit të pastër e të panjollosur, të atillë siç ishte ditën kur populli na mbështeti dhe na besoi.