Revista e njohur “The Economist” shkruan në numrin e radhës në print për Samitin e Sarajavës, ku morën pjesë gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor.
Sipas revistës, në kushtet kur anëtarësimi në BE duket i largët, Ballkani ka gjetur një zëvendësues.
“Këto vende mund të nisin një treg të tyre të përbashkët,” shkruan revista.
Më 12 korrik palët do takohen sërish në Trieste dhe Komisioneri për Zgjerimin, Johanes Hahn ka kërkuar që në atë kohë plani për tregun e përbashkët të jetë gati.
“Serbia dhe Shqipëria janë gati për gjithçka: Në të vërtetë, liderët e këtyre vendeve thonë se ishte ideja e tyre. “Serbia do të luajë brenda këtij grupi atë rol që luan Gjermania në BE,” tha një diplomat. Mali i Zi dhe Kosova megjithatë janë të alarmuara. Mali i Zi ka avancuar në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE dhe ka frikë se plani i ri do ta pengojë,” shkruan revista.
“Në Sarajevë, Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë, tha se do donte që shqiptarët të jenë në gjendje të punojnë lirisht në BE tani, ndërkohë që qeveria punon për pjesën tjetër të kritereve të anëtarësimit. Në klimën e sotme politike në BE, kjo është një fantazi. Por Rama mund të ketë të drejtë që vendet e Ballkanit mund të afrohen drejt BE nga pak, duke shmangur provokimet. Ndërkohë një treg i përbashkët i tyre mund të shërbejë si çmim ngushëllimi,” e mbyll shkrimin revista.