Liderët e ri kanë dy opsione: Bashkëpunim ose Dorëheqje

Kryesore | Publikuar më 17.10.2017 në ora 17:41

Liderët e partive të reja janë në ballafaqim me Bashkimin Demokratik për Integrim në dy komuna, konkretisht lideri ASH-së Ziadin Sela në Strugë, kundër Ramiz Merkos, të BDI-së, nga ana tjetër lideri i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami në Tetovë, ballafaqohet me kundër kandidaten e koalicionit LSDM – BDI,  Teuta Arifi. Në opinion kanë filluar të qarkullojnë zërat që të gjithë ata që “dështuan” duhet të tërhiqen nga gara politike, duke përfshirë këtu edhe dy liderët e partive tjera shqiptare, si Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi, shkruan Almakos.

Njohësit e rrethanave politike janë të mendimit se liderët e dy partive të reja nuk duhet të tërhiqen nga udhëheqja e partisë, shkaku i zgjedhjeve por, sipas tyre ata mos mendojnë të qëndrojnë në krye të partive nëse nuk bëjnë koalicion mes vete për ta humbur të “keqen” e përgjithshme të quajtur BDI, që tani ka marrë edhe mbështetjen e LSDM-së. Njohësit e rrethanave thonë se Gruevski, duhet t’u shërbejë si shembull liderëve të ri dhe sipas tyre ata duhet ta dijnë se gjërat asnjëherë nuk janë të përjetshme.

Avdi Bakiu gazetar, është i mendimit se për çdo rezultat të mundshëm përgjegjësia bie mbi liderët e partive politike. Por, sipas Bakiut në këtë rast kemi një situatë pak më ndryshe.

“Ndoshta është një praktikë e re tek ne që në këto zgjedhje për kryetar komune garuan edhe dy liderët e partive politike, gjegjësisht nga Lëvizja BESA dhe Aleanca për Shqiptarët. Në tubimin e çdo kandidati të partisë kanë qenë lideri i BDI-së dhe ai i VMRO-DPMNE-së dhe kanë përfunduar me rezultate shumë të dobëta krahasuar edhe me zgjedhjet parlamentare të 2016-ës por është me ato lokale të 2013-ës. Dhe kështu përgjegjësia më e madhe kërkohet pikërisht nga liderët e këtyre partive politike. Madje dorëheqja e tyre ishte e patjetërsueshme që më herët por, të njëjtën nuk e bënë”, tha Bakiu për Almakos.

Për sa u përket partive të reja Bakiu thotë se liderët e tyre duhet ta mendojnë tërheqjen nëse nuk bashkëpunojnë në rrethin e dytë përballë koalicionit LSDM – BDI.

Ish ministri, Sulejman Rushiti, është i mendimit se pas përfundimit të ciklit zgjedhor çdo parti duhet të bëjë analizat e thella dhe sigurisht që duhet të mbajnë përgjegjësi.

“Varet nga strukturat partiake a do të kërkojnë votëbesim ose jo. Ajo që është e patjetërsueshme për sukses në të ardhmen, është hapja e partive jashtë grupeve të ngushta klanore. Vendosja e mekanizmave të vërtetë demokratik në zgjedhjen e strukturave dhe krijimi i strategjive politike. Nuk mund të shpresohet vazhdimisht në vota mllefi nga tjetri. Procesi i reformimit të partive duhet të jetë konstant, deklaroi ish ministri Sulejman Rushiti, për Almakos.

Nga ana tjetër gazetari Agron Vrangalla, thotë se në parim dorëheqja nuk është mënyra më e mirë për të pranuar humbjen.

“E vetmja dorëheqje e mirëpritur nga pjesa më e madhe e elektoratit është ajo e Nikolla Gruevskit, pas kësaj humbjeje spektakolare, befasuese edhe për vetë ate. Kur votuesi flet në mënyrë kaq direkte, atëherë nuk ke çfarë kërkon me në postin e kryetarit” deklaroi Vrangalla, për Almakos.

Vrangalla shton se në bllokun politik shqiptar është një situatë krejt ndryshe, liderët e partive më të reja akoma janë në konsolidim të identitetit të tyre politik, por rasti Gruevski duhet të shërbejë si shembull për të gjithë, duke kuptuar se asgjë nuk është e përjetshme.

Rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale mbahet më datë 29 tetor 2017, zërat për bashkëpunim në mes dy subjekteve politike, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja BESA janë shtuar, kanë shkuar deri në atë shkallë që dy nënkryetarët e partive në fjalë e kanë lënë derën e hapur për bashkëpunim.

Nëse ndodh bashkëpunimi, mes ASH dhe BESA partitë në fjalë mund të marrin nën udhëheqje 13 komuna, në të cilat ballafaqohen me BDI-në. Kujtojmë 7 nga 13 do i merrte nën udhëheqje Lëvizja BESA, kurse 5 të mbetura Aleanca për Shqiptarët.