Qeveria e Maqedonisë ka miratuar propozim-ligjin për amnisti, i cili deri në miratimin e tij duhet të kalojë në disa faza, përfshirë edhe debatin publik. Propozimi do të shqyrtohet nga më shumë grupe ekspertësh para se të miratohet në Kuvend. Sipas Ministrisë së Drejtësisë bëhet fjalë për një çështje të ndjeshme që kërkon analiza të detajuara për të respektuar të gjitha kriteret ndërkombëtare si dhe të drejtat e të burgosurve. Por, nga OBRM-PDUKM propozimin e Qeverisë e vlerësojnë si përpjekjet të partisë LSDM të Zoran Zaevit, për siç thuhet, keqpërdorimin e të burgosurve në zgjedhjet lokale të 15 tetorit. Për analistin Nijazi Muhamedi, ky ligj duket konfuz në mënyrën se si e nxjerrin në opinion, por prioritet duhet të jenë rastet e montuara “Monstra” dhe “Sopoti”, por edhe të tjerave, në të cilat viktimë janë shqiptarët.
“Kjo krejt varet si do të procedojnë tek kategorizimi i të ndëshkuarve, dhe kush do ta bëjë atë kategorizim, mendoj sa do të jetë transparent, sa do të jetë etik ai kategorizim dhe si do të formulohet arsyeshmëria juridiko – gjyqësore e amnestimit, i cili pak më duket konfuz në mënyrën si e shtyjnë në opinion.
Por, unë mendoj se prioritet më i madh duhen të jenë rastet e gjykimeve të montuara që dihet tashmë se kanë goditur shqiptaret masivisht dhe në të gjitha këto vite dhe nga të gjitha qeveritë e alternuara (të LSDM-së dhe të VMRO-së, në kualicione me paterica koalicionuese shqipfolëse) që të bëhet lirimi i tyre i menjëhershëm dhe me ligj të veçantë, edhe sikur ndonjë rast i tyre lyp një rigjykim të drejtë, rastet e të gjykuarve të pafajshëm poashtu, sikundër është rasti i Burhan Nuhiut – Porojit, poashtu dhe mund të ketë edhe ndonjë rast tjetër ngjashëm me fatin e tij. Këto janë rastet ku është manifestuar deformiteti më eklatant i sistemit gjyqësor, i ndërhyrjeve më arbitrare të politikës në gjyqësi. Nga ato që lexoj, jepen disa indicie se pikërisht këto sikur prap nuk janë të gatshëm të punojnë e të vendosin ndershmërisht. Prandaj, mendoj që presioni duhet shtuar nga ana shqiptare, që të mos të ndodhë t’i mbulojnë truket përmes “amnestisë” së paprecizuar, për të shpëtuar me këtë sebep edhe ndonjë hajdut të tyre, ose mund për të mbuluar me mospërfshirjen në amnesti ose në rigjykim procese, në të cilat janë implikuar vetë aktorët politik që kanë qenë në pushtet ose që janë rikthyer në pushtet, veçanërisht se ka edhe këso dyshimesh në opinion prej vitesh për disa nga aktorët politik nga ana shqiptare”, thotë analisti Nijazi Muhamedi, për Almakos.
Muhamedi shton se “amnestia” është prioritet i hequr, proceset e montuara ndaj shqiptarëve duhet të jenë prioritet i ngutshëm, dhe me ligj të veçantë.
Për këtë ligj nga Qeveria thonë se propozimi paraqet vullnet të mirë, për të risocializuar personat që e vuajnë dënimin, si dhe kanë dhënë arsyen se të lirohen burgjet dhe përmirësimin e tyre.
“Shprehje të vullnetit të mirë të shtetit ndaj një grupi të caktuar të personave të dënuar, me qëllim të risocializimit të tyre dhe për lirimin e burgjeve nga numri i madh i personave që aktualisht vuajnë dënimin me burg, si dhe përmirësimin e kushteve në institucionet ndëshkuese-përmirësuese”, raporton Almakos.
Sipas Ministrisë së Drejtësisë bëhet fjalë për një çështje të ndjeshme që kërkon analiza të detajuara për të respektuar të gjitha kriteret ndërkombëtare si dhe të drejtat e të burgosurve.
“Ky propozim-ligj në draftin e paraqitur parasheh amnisti të plotë për personat e dënuar deri më gjashtë muaj burg, ndërsa të gjithë të tjerët do të përfitojnë lirim prej 30 për qind nga masa e shqiptuar e dënimit. Propozimi nuk do të përshijë veprat penale të parapara me Kodin Penal të Maqedonisë, vrasjet në bazë të nenit 123 të Kodit Penal, veprat kundër njerëzimit, veprat kundër shtetit, veprat kundër gjinisë dhe të drejtës ndërkombëtare e të tjera”, thotë Bilen Saliji.
OBRM-PDUKM, të cilë e shohin këtë ligj si propagandë dhe korrupsion zgjedhor dhe bashkëpunim me të burgosurit para zgjedhjeve.
“Zaev me amnistinë i mashtron të burgosurit dhe i keqpërdor për qëllime paraelektorale. Loja me propozim-ligjin për amnisti për shkelësit e ligjit, kryerës të veprave penale nuk është asgjë tjetër përveç se korrupsion zgjedhor dhe bashkëpunim me të burgosurit para zgjedhjeve. Zoran Zaev nuk është i sinqertë me njerëzit që janë në burgje. Ai dëshiron që t’i shfrytëzojë si makineri votuese, duke krijuar me këtë kaos dhe demonstrim të banditizmit. Këtë qytetarët do ta dënojnë më 15 tetor”, thuhet në reagimin e OBRM-PDUKM-së.
Organizatat joqeveritare (OJQ) që merren me të drejtat dhe liritë e njeriut kërkojnë reforma më të thella në sistemin e politikës ndëshkimore. Ato thonë se amnistia ka për qëllim uljen e numrit të të burgosurve për shkak të mbipopullim të burgjeve, por kjo sipas tyre nuk e zgjidh problemin me sistemin katastrofal të këtyre institucioneve, të cilat duhet të kenë rol për risocializimin e të dënuarve, apo ngritjen e vetëdijes së tyre për mospërsëritjen e veprave për të cilat janë dënuar.
“Ligji për amnisti nuk do ta zgjidh problemin me burgjet, pasi është vetëm se një segment nga problemet e grumbulluara. Do të zgjidh çështjen e mbipopullimit, por nuk do të zgjidh problemin me korrupsionin. Mendoj se ky është problem më i madh që duhet të zgjidhet një herë e përgjithmonë. Në burgje kemi një shoqëri të dënuarve ku nuk vlejnë ligjet e Maqedonisë. Kritika për gjendjen në burgjet kemi pasur nga më shumë institucionet ndërkombëtare, të cilat kushtet në burgje i kanë kualifikuar si torturë dhe jo si institucione që duhet të shërbejnë për risocializimin e këtyre njerëzve”, ka deklaruar Uranija Pirovska nga Komiteti i Helsinkit.
Edhe Avokati i Popullit, Ixhet Mehmeti ka kritikuar kushtet në burgje, duke bërë thirrje për ngritjen e cilësisë dhe trajtimin njerëzor të të burgosurve.
“Kushtet në burgje në mënyrë të drejtpërdrejt godasin mbi dinjitetin e njeriut andaj edhe nuk mund të flasim se ata në mënyrë humane apo dinjitoze po e kryejnë dënimin me burg. Maqedonia nuk është e fundit por edhe shumë me keq se fundi sa i përket kushteve në burgje, këtu nuk kemi metoda të socializimit por dhunë dhe keqtrajtime të ndryshme mbi këta njerëz”, thotë Mehmeti duke kërkuar reforma të thella në institucionet ndëshkimore të vendit.
Në burgun më të madh të vendit në Idrizovë të Shkupit, ka rreth 2 mijë të burgosur nga 800 sa është kapaciteti i tij. Një pjesë e tyre me miratimin e amnistisë mund të lirohen ndërsa, një pjesë tjetër mund të përfitojnë në uljen e dënimit.
Sipas të dhënave zyrtare, janë 104 persona, të cilët kanë gjasa të përfitojmë menjëherë nga Propozim-Ligji për Amnisti, i cili është në përpunim e sipër, pasi sipas të dhënave të fundit të Ministrisë së Drejtësisë, këta persona janë të dënuar në burg deri më 6 muaj që domethënë se do të lirohen me automatizëm.
Ndërsa, për 1200 persona të dënuar për vjedhje ose 752 të dënuar deri në pesë vjet burg, ka gjasa që t’u hiqet 30 për qind e dënimit total.
Por, këtë mundësi nuk do ta gëzojnë ata të cilët janë të dënuar me burg të përjetshëm dhe për vrasje e që sipas statistikave të fundit janë 40 në numër. Nuk mund të amnistohen as përdhunuesit e as ata që kanë bërë vepra kundër zgjedhjeve, vepra penale kundër shtetit, bashkim kriminel dhe vepra kundër njerëzimit.
Ligji i propozuar nga Qeveria mbrëmë është vënë në shqyrtim publik për 20 ditë për të marrë mendime ekspertësh dhe pastaj do të vijojnë procedurat e tjera në Parlament.
Delvina Kërluku
Almakos.com