Kësaj atmosfere e cila ndërpreu shqyrtimin e amendamenteve për propozim-ligjin për përdorimin e gjuhëve, i parapriu kërkesa e deputetit të Lëvizjes Besa, Fadil Zendeli për fjalë procedurale. Pasi Rexhep Memedi propozoi amendamentin që propozimi të Quhet ligji për përdorimin e gjuhës shqipe dhe jo ligj për përdorimin e gjuhëve, e që propozimi nuk u pranua nga ministri i Drejtësisë Bilen Saliji, kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane Artan Grubi i dha fjalën deputetit Vesel Memedi. Pas fjalës së Memedit të gjithë deputetët e BDI-së prezent në sallë u paraqitën për replika. Ndërkohë Fadil Zendeli i Lëvizjes Besa akuzonte për shkelje të rregullores së Kuvendit dhe kërkonte procedurale pasi kolegut tij nuk iu dha mundësia e arsyetimit të amendamentit. Grubi si i pari i paraqitur për replikë, foli në këtë atmosferë.
Lëvizja Besa, qasjen e BDI-së e quan qasje të njëjtë me atë të VMRO-DPMNE-së e cila bllokonte me replika dhe kundër-replika konstituimin e Kuvendit dhe votimin e leximit të parë të propozim-ligjit për përdorimin e gjuhëve. Besa nuk përjashton mundësinë për bojkotimin e punës së Komisionit.
“Formën e VMRO-DPMNE-së për të cilën ne jemi dëshmitarë se me debatet e pafundme në Kuvend ku ligjet bllokoheshin me replika dhe kundër-replika dhe strategjinë e njëjtë nga VMRO-DPMNE-ja, për shkak se nuk e kanë të largët sepse një kohë të gjatë kanë qenë në koalicioni, këtë strategji të VMRO-DPMNE-së në Parlament, e praktikonin sot deputetët e BDI-së për të pamundësuar debat real konstrukiv rreth ligjit për përdorimin e gjuhëve – deklaroi Fadil Zendeli, Deputet i Lëvizjes Besa.
Artan Grubi nga ana tjetër duke akuzuar Lëvizjen Besa për tendencë kundër gjuhës shqipe, thotë se proceduralja nuk mund të kërkohet gjatë debatit.
“Procedurale mund të kërkohet gjatë ecjes së debatit, por fitohet proceduralja pas përfundimit të debatit e jo në mes të fjalës. Ju ishit dëshmitar se isha në mes të replikës duke folur kur Fadil Zendeli kërkoi procedurale, me ç’rast e njoftova se pasi të përfundoj fjalën do të kesh të drejtën e procedurales ashtu siç e parashikon Rregullorja – tha Artan Grubi, Deputet i BDI-së.
Vazhdimi i seancës u caktua për 24 dhjetor, kjo me qëllim për t’i dhënë një mundësi edhe VMRO-DPMNE-së, e cila vazhdon të bojkotojë, për të debatuar rreth amendamenteve të propozuara nga ky subjekt. Në këtë datë duhet të përfundojë debati për leximin e dytë në Komisionin amë të propozim-ligjit për përdorimin e gjuhëve. Për këtë propozim, me përjashtim BDI-së dhe ASH-së, subjektet tjera kanë propozuar gjithsej 90 amendamente.
https://www.youtube.com/watch?v=l8pXld3I-cA