Llalla: Policia shmang prokurorinë nga asgjësimi i drogës

Shqipëri | Publikuar më 21.04.2017 në ora 11:46

Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla ka shprehur shqetësimin e tij për nivelin e ulët të identifikimit të trafikantëve të lëndëve narkotike në vend nga ana e institucioneve ligjzbatuese.

“Është shqetësues fakti se nga strukturat e tjera ligjzbatuese, të cilat kanë për detyrë të kontrollojnë territorin dhe verifikojnë këto raste, ka një përqindje shumë të ulët të autorëve të këtyre veprave penale” —u shpreh Zoti Llalla në një konferencë për shtyp, ditën e sotme.

Prokurori Llalla tha se shmangia e prokurorisë në administrimin e provave materiale, veçanërisht në rastin e lëndëve narkotike, përbën shkelje ligjore. Ai tha se:

Në mënyrë të vazhdueshme bëjnë publike të dhëna se çdo ditë sekuestrohen sasi të konsiderueshme lëndësh narkotike, asgjësohen lëndë narkotike, ndërsa nga ana tjetër thuajse ka një mospërfshirje totale të prokurorëve në mënyrën sesi administrohen, sekuestrohet dhe asgjësohen këto lëndë narkotike.

Në të gjitha rastet, lënda narkotike ashtu si çdo provë tjetër do të asgjësohet në prani të Prokurorit.

Ai i bëri thirrje të gjithë prokurorëve të denoncojnë rastet kur provat material asgjësohen në kundërshtim me ligjin.