13 September
Ekipi i parë prej 16 ekspertëve të OSBE-ODIHR të cilët do t’i vëzhgojnë zgjedhjet lokale mbërriti në Shkup. Shefja e misionit është Odri Glover, e cila paralajmëroi se deri në fund të javës do të mbërrijnë 20 vëzhguesit afatgjatë, ndërsa pak para votimit në Maqedoni do të mbërrijnë edhe 300 vëzhgues afatshkurtër.
Do t’i kushtojmë vëmendje të posaçme regjistrimit të votuesve dhe regjistrit të kandidatëve- tha Odri Glover.
Vitin e kaluar OSBE-ja ishte një nga organizatat më të zëshme ndërkombëtare të cilat angazhoheshin për pastrimin e listës së zgjedhësve që përfundoi me mënjanimin e përkohshëm të 30 mijë votuesve nga lista. Për këtë vit këta votues sërish janë kthyer në listë. E pyetur për qëndrim për cilësinë e listës vetëm një muaj para zgjedhjeve, Glover paralajmëroi se do të përgjigjet në të ardhmen.
Sapo mbërritëm dhe ende nuk kemi pasur mundësi ta shikojmë listën dhe të shohim nëse janë bërë çfarëdo ndryshimesh lidhur me rekomandimet tona paraprake- shtoi Glover.
Raporti i parë i ashtuquajtur periodik i misionit vëzhgues të OSBE-ODIHR do të jetë para zgjedhjeve. Vlerësim të parë për zgjedhjet do të japin një ditë pas votimit. Raporti përfundimtar, në të cilin do të shënohen të gjitha mangësitë potenciale, publikohet tetë javë më vonë.
Alsat M