Maqedonia nuk ndëshkon hajnat e parave të shtetit

Kryesore | Publikuar më 19.01.2018 në ora 18:04

Në Maqedoni zbatohet politika e mosndëshkimit të krimit ekonomik dhe financiarë. Organet e ndjekjes, policia, prokuroria, dhe gjykatat nuk arrijnë në mënyrë efikase të ndëshkojnë autorët e këtyre veprave të rënda penale.
Në programet e të gjitha qeverive të deritashme, vend të spikatur zënë lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, por në praktikë bëhet shumë pak për të luftuar këto dukuri negative në shoqëri, e cila dëmton mirëqenien e qytetarëve.
Përkundër përshtypjes së përgjithshme të përhapur në opinion se krimi i organizuar dhe korrupsioni është shpërndarë në të gjitha poret e shoqërisë, për të cilën paralajmërojnë edhe organizatat ndërkombëtare, statistikat zyrtare të Drejtorisë për zbatimin e sanksioneve flasin se procedurat kundër personave të akuzuar për krime ekonomike dhe finansiare janë joefikase.
Prej gati tre mijë të burgosurve që vuajnë nëpër burgje dënimet për vepra të ndryshme penale, vetëm 58 prej tyre, janë të dënuar më vendime të plotëfuqishme gjyqësore. Vetëm 14 persona vuajnë dënimin me burgim për shkak se janë shpallur të fajshëm për keqpërdorime të detyrës zyrtare, ndërsa 44 të tjerë për krime të bëra kundër financave publike dhe sistemit pagesor.
Rastësi apo jo, edhe qeveria e re u tregua shumë zemërgjërë ndaj kësaj kategorie të qytetarëve që kanë probleme me ligjin. Në Ligjin për amensti të miratuar këtë javë, kryersit e veprave ekonomike të dënuar me gjashtë muaj burgim do lirohen nga vuajtja e dënimit, ndërsa të tjerëve do ju falet tridhjetë për qënd e dënimit të përgjithshëm.
Sipas statistikave, Maqedonia si shtet arrinë të ndëshkojë vetëm krimet bazike në shoqëri, siç janë krimet kundër jetës, shëndetit dhe pronës së qytetarëve. Nëpër burgj aktualisht ka mbi një mijë qytetarë të dënuar për krime kundër pronës dhe mbi pesë qindë të tjerë të dënuar për krime kundër jetës, shëndetit dhe moralit njerëzor.

Almakos