Maqedonia, përfituesja më e madhe nga Samiti në Trieste

Ekonomi | Publikuar më 13.07.2017 në ora 14:46

Zv/kryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë i angazhuar për Çështje Ekonomike, Koço Angjushev, në një konferencë për media në hapësirat e Qeverisë deklaroi se “Maqedonia është përfituesja më e madhe nga Samiti i djeshëm në Trieste nga grantet e siguruara nga Bashkimi Evropian (BE) për zhvillim të infrastrukturës në Ballkanin Perëndimor”, raporton Anadolu Agency (AA).

Në Samitin “BE – Ballkani Perëndimor”, ndër delegacionet e qeverive të shteteve të Ballkanit Perëndimor, në delegacionin qeveritar të Maqedonisë i pranishëm ishte edhe zv/kryeministri Angjushev. Ai theksoi se delegacioni i Maqedonisë është tejet i kënaqur nga samiti i djeshëm kushtuar zhvillimit të Ballkanit Perëndimor, sepse, sipas tij, BE-ja ndau grante për Maqedoninë, mjete financiare të pakthyeshme, për shkak se tashmë e njeh frymën e qeverisë së re maqedonase, të angazhuar në procesin e reformave.

“Nga gjithsej grantet e ndara në vendet e Ballkanit Perëndimor, që arrijnë vlerën në 194 milionë euro, Maqedonia mori 70 milionë euro, që do të thotë nga gjithsej mjetet financiare 40 përqind i përkasin si grante Maqedonisë. Maqedonia është një nga gjashtë vendet me numrin më të vogël të banorëve”, deklaroi Angjushev.

Ai duke theksuar se nëse merret parasysh numri i banorëve, Maqedonia është përfituesja më e madhe e kësaj faze të mbështetjes nga ‘Procesi i Berlinit’, shtoi se, “Ne si qeveri thellë e vlerësojmë këtë ndihmë dhe të njëjtën e ndjejmë si përgjegjësi të madhe për t’u orientuar drejt reformave, edhe atë jo vetëm për nevojat e anëtarësimit në BE, por edhe për të orientuar reformat në përmirësimin e jetës së çdo qytetari të Maqedonisë”.

Siç bëri të ditur Angjushev, 70 milionë euro janë vetëm grante të pathkyeshme nga BE-ja, ndërkohë në samit janë diskutuar dhe dakorduar edhe shumë projekte të tjera dhe kredi në mbështetje të zhvillimit të Ballkanit Perëndimor.

“Praktikisht përmes mbështetjes me këtë projekt, BE-ja dëshiron të dërgojë mesazh se ne si vende të Ballkanit patjetër duhet të jemi më të lidhur mes vete dhe më shumë të bashkëpunojmë me fqinjët. Praktikisht komunikimi ynë pasqyrohet përmes zhvillimit të infrastrukturës, e cila duhet të mundësojë më lehtë të komunikojmë si njerëz dhe si ekonomi”, tha Angjushev.

Angjushev njoftoi se grantet për Maqedoninë janë ndarë për pjesën e hekurudhës drejt Bullgarisë, që do të lidh Shqipërinë, Maqedoninë dhe Bullgarinë, lidhje infrastrukturore e cila, siç tha ai, vlerësohet tej mase nga Qeveria e Maqedonisë dhe BE-ja.

Samiti “BE – Ballkani Perëndimor” u mbajt në kuadër të iniciativës “Procesi i Berlinit” me të cilën kryeson Italia, ndërsa është nisur në vitin 2015 për zgjerimin e BE-së me shtetet e Ballkanit Perëndimor, si Maqedonia, Shqipëria, Kosova, Serbia, Bosnjë e Hercegovina dhe Mali i Zi.

Ndryshe, kjo iniciativë nisi me Konferencën e nivelit të lartë të mbajtur në Berlin, më 21 gusht të vitit 2014, ku krerët e qeverive të Ballkanit Perëndimor, ministrat e Jashtëm dhe të Ekonomisë, si dhe përfaqësues të Komisionit Evropian, nënshkruan “deklaratë të përbashkët”, të theksuara në të 18 pika, me anë të së cilës synohet të mbahet gjallë dialogu politik integrues i vendeve të Ballkanit Perëndimor.