13 July
Në Samitin e Triestes gjashtë liderët e Ballkanit Perëndimor miratuan Planin shumëvjeçar të veprimit në një Hapësirë Rajonale Ekonomike në Ballkanin Perëndimor. Hapësira Rajonale Ekonomike u krijua për të mundësuar qarkullimin e lirë të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe punëtorëve, për ta bërë rajonin më tërheqës për investime dhe tregti, për ta përshpejtuar konvergjencën me BE-në dhe për të sjellë prosperitet për qytetarët e këtij rajoni. Veprimet janë të përqendruara në:
- promovimin e integrimit të mëtejshëm të tregtisë;
- prezantimin e një hapësire dinamike për investim rajonal;
- lehtësimin e lëvizshmërisë rajonale;
- krijimin e një axhende integruese digjitale.
Zbatimin e veprimeve do ta monitorojë Sekretariati i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal bashkë me CEFTAN. Sipas ekspertëve përshtypja e parë është se ndryshe nga samitet e tjera, ky i fundit përfundoi me projekte konkrete që do ta përgatisin rajonin për integrim në Bashkimin Evropian.
Ideja është që në dekadën e ardhshme me këto investime këto shtete të përgatiten që t’i afrohen dyerve të Brukselit. Kjo nuk do të ndodhë menjëherë dhe nuk do të ndodhë brenda natës, sepse të mos harrojmë, Ballkani tash e 25 vite ishte në të ashtuquajturin transformim post-konfliktual. Ajo që i duhet Ballkanit tash e 25 vitet e ardhshme është transformimi post-korruptiv- tha profesor universitar Blerim Reka.
Andreja Stojkovski nga Eurothink nuk përjashton mundësinë që 6 vendet përnjëherë të arrijnë kompatibilitetin me vlerat e BE-së dhe të bëhen pjesë e saj.
Tashmë mund të shihet se Bashkimi Evropian po merr përgjegjësinë e përgjithshme për procesin dhe për rezultatin e procesit. Kjo garanton se në një moment Procesi i Berlinit dhe sponsorizimi individual i shteteve anëtare do të filtrohet në politikë të zgjerimit, respektivisht në një moment konkret të anëtarësimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian- deklaroi Andreja Stojkovski, Eurothink.
Sipas ekspertëve, i ashtuquajturi “Shengeni Ballkanik” ekziston që nga viti 2008 kur filluan heqjet e kontrolleve kufitare të pasagjerëve dhe kur filloi kalimi i kufijve vetëm me letër-njoftime.
Anesa Aliti