Marrja e votës nga komuniteti “tjetër” nuk është mision i pa mundur për partitë

Kryesore | Publikuar më 12.10.2017 në ora 17:30

Për partitë politike në Maqedoni  nuk është  mision i pamundur përfitimi i votave nga komuniteti “ tjetër” dhe kjo u vërtetua edhe gjatë zgjedhjeve parlamentarë të mbajtura në dhjetor të vitit të kaluar, kur rreth 40 mijë shqiptarë votën ia dhanë LSDM-së.
Megjithatë, një vendim i tillë i elektoratit, u vlerësua nga analistët si votë ndëshkuese ndaj BDI-së dhe votë shprese, pasi kryeministri aktual gjatë publikimit të “bombave” pati deklaruar se përgjime ka edhe për rastet e montuara ndaj shqiptarëve dhe se të njëjtat do të publikohen.
Megjithatë,  materialet e tilla ende nuk janë publikuar, shkruan Almakos.

Nga një analizë të publikuar sot dhe të bërë nga Qendra për  Hulumtim dhe Krijim të Politikave, më titull “Obama i Maqedonisë apo platforma e Tiranës”,  thuhet se  marrja e votës nga  komuniteti “ tjetër” është e mundur përmes një fushate me mesazhe joshëse.

“Përfitimi i votave nga komuniteti “tjetër”, gjegjësisht “votues maqedonas dhe shqiptarë” nga ana e kandidatëve dhe partive “shqiptare apo maqedonas” nuk është mision i pamundur. Me mesazhe dhe fushatë joshëse, Imer Selmani në vitin 2009 dhe LSDM në vitin 2016 arritën të fitojnë numër të konsiderueshëm të votave nga “të tjerët”- thuhet në analizën e QHKP.

Megjithatë, më tej si thuhet se Selmani nuk arriti që të njëjtin sukses ta përsërisë në zgjedhjet e mëvonshme dhe shtrohet pyetja se vallë a do të mundet LSDM-ja të ruaj 40 mijë votat e marra në zgjedhjet e fundit parlamentare.

“ Çështja është se a do të mundë LSDM-ja t’i mbajë votat që u janë besuar nga pothuajse 40.000 shqiptarë të Maqedonisë?”- thuhet nga QHKP.

Në analizën konkludohet se shoqërisë së Maqedonisë i nevojitet reformë e sistemit politik dhe zgjedhor në drejtim të përforcimit të integrimit ndëretnik si dhe  jepet rekomandim rreth  veprimeve  që duhen bërë për zbutjen e retorikës nacionaliste që është paraqitur pas zgjedhjeve të fundit parlamentare.
/Almakos.com
Përgatit: Evi Shkopi