Seanca për padinë e Musa Xhaferit dhe Ali Ahmetit kundër ish shefit të policisë sekrete Sllobodan Bogoevski përsësi nuk arriti të fillojë. Kjo pasi dëshmitarët e propozuar, noteri dhe avokati që kanë qenë prezent kur Bogoevski e ka dhënë deklaratën nuk deshëm të japin asnjë shpjegim, duke u thirrur në fshehtësinë e profesionit. Këta dëshmitarë i kishte propozuar ekipi i avokatëve të Ahmetit dhe Xhaferit, për të dëshmuar se deklaratën Bogoevski e ka dhënë në Shkup, në zyrë noteri, e jo në ambasadën e SHBA-së dhe kjo sipas tyre do të krijojë kushte që ai të gjykohet për shpifje.
Sipas avokatit të Bogoevskit, Valentin Zafirov, është për t’u habitur fakti se si tashmë gjysmë viti ky rast po zvarritet pa vendim konkret nëse gjykata e Maqedonisë është kompetente të gjykojë lidhur me deklarata të dhëna për Gjykatën e Nju Jorkut apo jo. Zarifov insiston se këto deklarata janë dhënë për shtetin amerikan, për të ndihmuar procesin gjyqësor për rastin “Magjar Telekom” dhe asesi nuk guxon që dikush të paditet për dëshmi në gjykatën e Nju Jorkut.
Ali Ahmeti dhe Musa Xhaferi, kohë më parë e paditën Bogoevskin për shpifje gjatë dëshmisë së tij në të cilën i thekson emrat e Musa Xhaferit, Ali Ahmetit dhe ish kryeministrit Vllado Buçkovski si persona që kanë marrë mitor prej 7.5 milion eurosh, për t’ia siguruar monopolin në tregun e telefonisë, kompanisë “Magjar Telekom”. Tani Musa Xhaferi dhe Ali Ahmeti kërkojnë nga Sllobodan Bogoevski 5 milionë denarë e gjysmë si kompensim për shpifjen.
Më 24 prill të këtij viti, ish drejtorët e Maxhar Telekomit, Eleg Shtraub dhe Andras Balog kanë pranuar se kanë dhënë mito prej 7, 5 milionë eurosh për të blerë tregun e Maqedonisë dhe janë pajtuar të paguajnë gjobë prej 400 mijë dollarësh amerikan së bashku. Atyre u është ndaluar edhe kryerja e detyrës zyrtare si drejtorë ose të punësuar në shoqata aksionare për 5 vitet e ardhshme. Ky fakt sipas avokatit të Bogoevskit është tregues i qartë se Ahmeti dhe Xhaferi kanë marrë mito, sepse në momentin që të akuzuarit kanë pranuar fajin, ata kanë pranuar edhe deklaratën e Bogoevskit edhe gjithë dëshmitë që janë prezantuar në proces.
Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/