Ministria e Shoqërisë Informative dhe Administratës Publike është institucioni më përgjegjës për administratën publike si dhe për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat në administratë. Por, nga ana tjetër kjo ministri është një nga institucionet me përqindjen më të ulët të përfaqësimit të shqiptarëve. Sipas raportit të fundit të Avokatit të Popullit, publikuar vitin e kaluar, përfaqësimi i shqiptarëve në këtë ministri është shumë larg 20 përqindëshit që obligon Marrëveshja e Ohrit dhe Kushtetuta.
Sipas këtij raporti, nga 214 të punësuar gjithsej, shqiptarët në Ministrinë e Shoqërisë Informative dhe Administratës Publike janë të përfaqësuar me vetëm 7 për qind, apo 15 të punësuar gjithsej. Në vendet udhëheqëse, përfaqësimi i shqiptarëve arrin në 11.8%, por bëhet fjalë për vetëm dy të punësuar në vende udhëheqëse. Ndërkaq në vendet joudhëheqëse nga 194 të punësuar gjithsej, vetëm 13 janë shqiptarë, apo 6.7%.
Në vendet e personave të zgjedhur dhe emëruar nga tre poste në përbërjen e re do të ketë një shqiptar edhe atë sekretar shtetëror, ndërsa ministri dhe zëvendësministri ju kanë takuar partive maqedonase. Nga kabineti i ministrit aktual, Damjan Mançevski, kanë thënë se bëhet fjalë për një situatë të trashëguar nga përbërja e kaluar, por thonë se punohet në tejkalimin e kësaj situate.
MINISTRIA PËR SHOQËRI INFORMATIVE DHE ADMINISTRATË PUBLIKE
“Një nga mënyrat e zgjidhjes së këtij problemi është me metodologjinë për planifikim të punësimeve në sektorin publik, në përputhje me parimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat dhe online kalkulatorit ‘Balanser’ për punësime të reja. ‘Balanser’ bën përllogaritje dhe e tregon shpërndarjen sipas përkatësisë etnike. Kjo është në drejtim të asaj që përparësi të kenë kandidatët për punësim që vijnë nga bashkësitë etnike prej të cilave ka përqindje më të vogël në institucionin e caktuar”
Përveç kësaj mënyre, nga Ministria për Shoqëri Informative thonë se planifikojnë edhe marrjen e dakorduar të një pjese të të punësuarve nga Sekretariati për Çështje Evropiane. Por, në përgjigjen me shkrim dërguar nga kjo ministri thonë se për ndryshimet e reja do të duhet të pritet përfundimi i zgjedhjeve lokale pasi kodi zgjedhor nuk lejon punësime dhe ndryshime kadrovike gjatë periudhës pas shpalljes së zgjedhjeve.
Tabelë: MINISTRIA PËR SHOQËRI INFORMATIVE DHE ADMINISTRATË PUBLIKE
Gjithsej të punësuar | Maqedonas | Shqiptar | |||
Vende udhëheqëse | 17 | 14 | 82.4% | 2 | 11.8% |
Vende jo udhëheqëse | 194 | 164 | 84.5% | 13 | 6.7% |
Të punësuar në organ | 214 | 181 | 84.6% | 15 | 7.0% |