Ministria e Transporteve: Ja cilat janë akset problematike për të qarkulluar

Shqipëri | Publikuar më 11.01.2017 në ora 11:06

Ministria e Transporteve dhe Infrastrukturës ka dhënë informacione lidhur me gjendjen e rrugëve në vend si pasojë e motit të keq dhe reshjeve të borës që janë rikthyer gjatë natës në një pjesë të mirë të vendit.

Sipas MTI, në rajonin verior Shkodër nuk ka ndryshim në gjendjen e akseve të këtij Rajoni. Kontraktorët janë duke punuar për pastrimin e akseve dhe hedhjen e kripës. Në kthesat e ekspozuara ka grumbullime të sasisë borës, për shkak të erërave të forta.

Në Rajonin Qendror Tiranë: Gjendja e kalueshmërisë në akset e këtij rajoni është normale, me përjashtim të segmentit Lunik – Steblevë, ku qarkullohet me zinxhirë.

Nga komunikimi me specialistin e Drejtorisë së Rajonit Jugor Gjirokastër, mësohet se pas punës së kryer nga kontraktori për pastrimin e aksit dhe për hedhjen e kripës, tani qarkullimi në aksin Vlorë – Palasë kryhet pa zinxhirë.

Vazhdon puna për pastrimin e akseve Tepelenë – Gjirokastër dhe Gjirokastër – Kakavijë, të cilat vazhdojnë të qarkullohen me zinxhirë. Po ashtu vazhdon puna edhe në Përmet – Çarshovë – 3 Urat, ku trashësia e borës ka arritur 35 cm.

Në Qafë Muzinë po punohet për pastrimin e aksit. Momentalisht kalohet akoma me zinxhirë.

Të gjithë kontraktorët që mbulojnë me kontrata mirëmbajtje akset rrugore, janë në gatishmëri nuk ka probleme ne qarkullimin.

Rekomandohen përdoruesit e rrugës të bëjnë kujdes në akset ku ka prezencë bore ose ngricash, si dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore.

11 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)