Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian (BE), Federica Mogherini, ka ftuar në një darkë joformale që do të mbahet më 24 maj në Bruksel, kryeministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, transmeton AA.
Zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijançiç tha se në darkën e lartpërmendur janë ftuar kryeministrat aktualë të Maqedonisë, Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, BeH-së dhe Malit të Zi, pa specifikuar nëse mandatari për formimin e qeverisë në Maqedoni, Zoran Zaev është në mesin e të ftuarve, nëse arrin të formojë qeveri deri në atë datë.
“Emrat e tyre do t’i publikojmë kur do të jetë më afër datës së mbajtjes së këtij takimi joformal”, tha Kocijançiç.
Ajo ka komentuar edhe për zhvillimet politike në Maqedoni dhe Shqipëri për të cilat tha se suksesi është rezultat i punës së fuqishme dhe vullnetit politik.
E pyetur nga korrespodenti i MIA-s në Bruksel nëse zgjidhja e krizës politike në Maqedoni dhe Shqipëri u bë me asistimin e ndihmës ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit Hoyt Brian Yee, Kocijançiç tha se suksesi është edhe i BE-së.
“Nuk jam e sigurt nëse do ta quaj mrekulli, por është rezultat i punës së fuqishme dhe vullnet politik. Kur flisni për rajonin e Ballkanit Perëndimor, ai është rajon që ka perspektivë evropiane dhe prandaj atje Unioni, fuqishëm është i përkushtuar. Njëjtë është si me Maqedoninë ashtu edhe me Shqipërinë”, tha ajo.
Në lidhje me zhvillimet në Shqipëri, për ku madje edhe eurokomisioneri për zgjerim Johanes Han mbështeti mbajtjen e zgjedhjeve pa pjesëmarrjen e opozitës më 18 qershor, Kocijançiç u përgjigj se BE-ja e mbështet marrëveshjen midis kryeministrit Edi Rama dhe liderit të opozitës Lulzim Basha për shtyrjen e zgjedhjeve më 25 qershor dhe me pjesëmarrjen e Partisë Demokratike.