Xhenur Iseni
Të jesh politikan sot është luks, për vetë faktin se mburoja që shoqëron atë dhe e bën të paprekshëm nga drejtësia është imuniteti.
Arsyeja pse përgjatë viteve të fundit vrapohet pas votave, të cilat shpeshherë blihen, është fakti se pasja imunitet të shpëton nga hetimi, arrestimi, dënimi, burgu.
“Të përzgjedhurit e popullit” shpeshherë qëllojnë të jenë ata që kanë pasur më parë precedentë penalë dhe tashmë janë deputetë. Por ndodh që edhe ata që më parë kanë qenë të papërlyer, tashmë mund të bëjnë çfarë të duan, kjo për vetë faktin se kanë një mburojë, të cilën njerëzit e thjeshtë nuk e kanë.
Nëse dikush dëshiron me të vërtetë që t’i shërbejë popullit pse duhet të ketë imunitet, më mirë le të mos ekzistojë fare.
Nëse deputetët nuk do të kishin imunitet do të ishin njerëz që do të punonin më shumë për ne, sesa për veten e tyre, do të ishin më të ndershëm, më të pakorruptuar, do të ishin të denjë për postet që mbajnë si të përzgjedhur të popullit dhe për popullin.
Aktualisht jemi dëshmitarë që burgjet janë mbushur përplot edhe me njerëz të pafajshëm, të cilët vuajnë dënimin e dikujt tjetër, dhe kjo gjë nuk përbën aspak për problem, për ata të cilët imuniteti i ka bërë, të paprekshëm, të pandjeshëm, të korruptuar, makuta, hajduta.
Politikanët të cilët bërtasin me të madhe, që punojnë për popullin dhe që puna e tyre fokusohet te hallet reale të njerëzve të thjeshtë, pse nuk japin dorëheqjen nga imunteti?!
Është e vërtetë, që në disa raste parlamenti ka votuar për heqje imuniteti ndaj disa deputetëve, të cilët dyshohen për vepra penale. Por si është e mundur, që pothuajse në të gjitha rastet kur është hequr imuniteti, deputeti ka qenë i opozitës?!
Mos ndoshta mazhoranca e çdo mandati qeverisës paska vetëm deputetë të papërlyer?
Përderisa parlamenti është institucion ligjbërës, Pse nuk krijon iniciativë për ndryshimin e kushtetutës për mospasje imuniteti?!
Vetëm atëherë pallavrat e përditshme të politikanëve do të besoheshin më shumë, vetëm atëherë drejtësia do të funksiononte siç duhej, vetëm atëherë politika do të merrte një fije besimi nga të gjithë ne.
Por në fund duhet potencuar se në Maqedoni për të hequr imunitetin në tërësi, duhet ndryshuar Kushtetuta sepse me kushtetutë deputetëve u garantohet imunitet, por mbetet të shihet vullneti i partive politike në të ardhmën se a do të bien dakord dhe në mënyrë unanime të dakordohen për mosekzistimin e imunitetit.