Ministria e Punëve të Brendshme ka dhënë detaje për ngjarjen e mbrëmshme në burgun e Idrizovës. MPB sqaron se mbrëmë rreth orës 22:30, njëra nga të punësuarat në repartin e grave ka njoftuar se në afërsi të burgut gjendeshin dy persona të maskuar, të cilët hidhnin gjësende në dritaret e burgut.
Pasi nëpërmjet radiolidhjes ajo ka informuar drejtuesin e burgut, asaj i kanë ardhur në ndihmë gardianë të tjerë të cilët kanë kërkuar që dy personat të ndalojnë, si dhe kanë shtënë nga dy herë në ajër, në shenjë paralajmërimi.
Pas kësaj, personat e panjohur menjëherë janë larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të Idrizovës. Ekipe policore janë vënë në kërkim të personave, por të njëjtin mbrëmë nuk janë gjetur. Policia po vazhdon hetimet për zbardhjen e rastit.