Dega e odës ekonomike MUSIAD në Ballkan, me seli në Shkup, ka organizuar sot panelin e diskutimin “Mundësitë e investimeve në Ballkan”, ku marrin pjesë afaristë nga qyteti Afyonkarahisar i Turqisë. Përparësitë e të bërit biznes në Maqedoni, i ka prezantuar ministri pa resor i Maqedonisë përgjegjës për investimet e jashtme, Adnan Kahil, i cili tha se Qeveria e re është krenare nga ajo që sigurojnë mundësi për investime për ata që tregojnë interes për ekonominë e Maqedonisë.
Ndërkohë, kryetari i MUSIAD-it në Maqedoni, i cilësoi si pozitive zhvillimet ekonomike të viteve të fundit në Maqedoni dhe rajon.
BILAL KARA, DREJTOR I MUSIAD-BALLKAN
“Interesi i biznesmenëve turq në shtetet e Ballkanit rritet. Në këtë rritje kanë ndikim të madh institucionet, si MÜSIAD, odat tregtare, organizatat joqeveritare. Para dy ditëve organizuam një program në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë. Atje biznesmenëve që ishin të pranishëm iu treguam mundësitë e investimeve, elementet e tregtisë në atë vend”
Ndërkohë, afaristi dhe anëtari i bordit të MUSIAD-it nga qyteti Afyonkarahisar, Metin Mercan, tha se qëllimi i kësaj vizite është zhvillimi dhe avancimi i marrëdhënieve mes biznesmenëve nga të dyja vendet. Për të arritur këtë qëllim, pjesë e organizimit të sotëm ishin edhe takimet bilaterale mes afaristëve, ndërsa përveç Shkupit, afaristët turq realizuan takime edhe në Tiranë, ndërsa është paraparë që më 19 gusht të mbahet një takim edhe në Prishtinë. Abdulla Berisha