Ne fëmijët e prindërve që prisnin t’ua japin të drejtat!

Flash | Publikuar më 07.09.2017 në ora 21:24

Shkruan: Emad MEHMETI

Ne lindëm atëherë kur me plot zhurmë e pompozitet Maqedonia e shpalli veten shtet të pavarur. Pra ne lindëm në vitet kur prindërit tanë mburrshëm shkonin nëpër mitingjet e partisë së parë shqiptare pas mëvetësimit të Maqedonisë, në ato të Partisë për Prosperitet Demokratik, ku përshëndesnin ardhjen e demokracisë dhe ku mëkoheshin me krenarinë e munguar kombëtare. Dhe ku lirshëm mund të brohoritnin parulla politike shqip, ku mund t’i duartrokitnin kandidatëve shqiptarë për deputet dhe ku mund të shpresonin shqip. Ne ora lindëm në vitet kur nëpër mitingjet e partive maqedonase, për herë të parë dhe, pa u fshehur nga askush, maqedonase kërkonin dhoma gazi për shqiptarët dhe zëshëm tregonin se për ta, vetëm shqiptari i vdekur është shqiptar i mirë. Gjithsesi, duke mos harruar të kumtonin me shkrim e me zë, se “Maqedonia u takonte vetëm maqedonasve”.

Pas lindjes sonë dhe të Maqedonisë së pavarur, vazhdoi rrita e neve fëmijëve që jetonin pranë prindërve që shpresonin se maqedonasit do ua japin të drejtat që natyrshëm u takonin, e disa nga të cilat dikur ua kishte dhënë socializmi, por ua kishte marr demokracia! Pra rriteshim pranë prindërve që besonin se Kiro Gligorovi dhe “luanët e tij të rinj” ( siç i quante ai burrështetasit e atëhershëm të LSDM-së) do tregonin mirëkuptim ndaj kërkesave të drejta shqiptare. Por siç duket, prindërit tanë harruan se Gligorovi dhe “luanët e tij” kishin dalë nga manteli i Titos dhe nga kabinetet antishqiptare të Beogradit, andaj dinin të ndërtonin vetëm shtet që duhej të mbrohej nga rreziku i trilluar shqiptarë. Kështu që “luanët e Gligorovit” shqiptarëve ua rekomandonin pritjen e kohëve më të mira për realizimin e kërkesave të tyre. Pra pushtetarët shqiptarë të PPD-së i këshillonin të ishin të durueshëm, e ta mbanin nën kontroll mllefin e popullit që përfaqësonin.

Dhe prindërit tanë iu dorëzuan pritjes, me çka shpresat filluan të zbehen dhe gjithnjë e më qartë të shihet se edhe “bashkëjetesa” demokratike, njësoj si edhe ”bashkim-vëllazërim” socialistë, kishte për qëllim ta mbulonte fytyrën e vëllait të madh, të cilit duhej t’i shërbenin të gjithë të tjerët. Në ndërkohë pritja që dikush t’ua jep të drejtat, filloi të bëhet e lodhshme,kështu që duhej me diçka ushqyer shpresat. Çka edhe e bëri PPD’në lehonë që do lindte fëmijën e saj të parë – PDSH’në, e cila i trashëgoi thuajse gjitha tiparet e nënës që e kishte lindur, e mbi të gjitha vesin që t’i bindte shqiptarët të presin kohë më të mira për realizimin e të drejtave të tyre. Pra, partia e porsalindur u bë partnere strategjike e partisë më antishqiptare, VMMRO-DPME’së, edhe atë ende pa e konsoliduar partneritetin me popullin që përfaqësonte.

Po pra, ne rriteshim e në ndërkohë partitë shqiptare lindnin e zhbëheshin. Vetëm sunduesit maqedonas nuk ndryshonin gjë, sa u përket kërkesave shqiptare: VMRO-DPMNE-ja ato i kundërshtonte, ndërkaq LSDM-ja u rekomandonte shqiptarëve pritjen të kohëve më të mira e më të përshtatshme për realizimin e tyre. Thuajse ato ishin bimë sezonale, që nuk mund të rriteshin në kopshtin demokratik të Maqedonisë. Dhe kështu shqiptarët pritnin, e maqedonasit ecnin përpara, me çka u takuan gjatë konfliktit të 2001, kur sërish u ringjallë shpresa shqiptare, por të cilën e varrosi turpi i paparë që i mbuloi shqiptarët e këtushëm që nga çasti kur ‘çlirimtarët’ e BDI’së, u bënë burrështetas dhe të cilët, edhe më paturpshëm se pararendësit e tyre, shqiptarëve ua rekomanduan pritjen që shteri të anëtarësohej në NATO e në BE, e që pastaj ata ta shijonin barazinë me të tjerët dhe lirinë që u takonte. Pra ne fëmijët e prindërve që pritnin dikush t’ua sjellë të drejtat si mish orizin në sofër, tani më ishim rritur aq sa ta kuptonim se leninistët e BDI’së popullit të vet ia rekomandonin pritjen, e vetvetes ngutjen që sa më shpejtë të pasuroheshin dhe nga të paushqyer si duhet, brenda një mandati, të bëheshin kapitalistë tanë të dalluar.

Po pra, ne u lindëm dhe u rritëm në një Maqedoni ku thuajse një herë në vit policia likuidonte ndonjë shqiptar të “rrezikshëm”, ku thuajse njëherë në vit zhvillohej ndonjë proces i montuar gjyqësorë ku dënohej pafajësia shqiptare, në një Maqedonia që u bë sallë ku prindërit tanë pritnin dikush t’ua jepte të drejtat që u takonin. Dhe ja, sot ne jemi rritur e burrëruar dhe me asgjë nuk turpërohemi pse jemi fëmijët e prindërve që pritnin dikush t’ua jepte të drejtat e munguar, ngaqë nga pritja e tyre ne mësuam shumëçka. E mbi të gjitha të vërtetën se askush nuk ta jep atë që nuk din ta marrësh. Andaj, “gligorovistëve” të dikurshëm, e “zaevistëve” të sotëm , si dhe shqiptarëve të tyre besnik, u themi të jetojnë lirshëm: ne nuk presim nga ta të na japin ata, ngaqë e dimë si ta marrim tonën. Kështu që “gligorovistëve ‘ të deridjeshëm dhe “zaevsistëve” të sotëm, mund t’ua themi atë që deri dje ia thoshim regjimit antishqiptarë DPMNE-BDI: ne fëmijët e prindërve që prisnin dikush t’ua jep të drejtat, kurrë nuk do bëhemi vasal që popullin e vet do e vënë në gjumë në djepin e pritjes, edhe atë vetëm që burrështetasit maqedonas të sundojnë të qetë!