Komisioni ndërdikasterial shtetëror për luftë kundër prodhimit të palejuar, tregtisë dhe keqpërdorimit të drogave sot në Shkup organizoi prezantimin “Evaluimi i programeve për trajtim dhe kujdes të personave të cilët përdorin droga në Republikën e Maqedonisë”, raporton AA.
Sipas Liljana Ignjatova, kryetare e Komisionit ndërdikasterial shtetëror për luftë kundër prodhimit të palejuar, tregtisë dhe abuzimit të drogave, të varurit edhe më tej përballen me stigmatizim dhe njëfarë diskriminimi, kanë problem të gjejnë punë dhe në përgjithësi me riintegrimin në bashkësi.
“Rezultatet e hulumtimeve tregojnë se numri i të ashtuquajturve të varur problematik nga droga është ulur në krahasim me hulmtimet e vitit 2010 ku u regjistruan rreth 10 mijë të varur droge. Atë që mund si informacion ta shtojmë është se në shtet ka rreth tetë mijë të varur problematik të drogës, ndërsa afro një e katërta e tyre janë të kyçur në programet për trajtim dhe kujdes”, theksoi Ignjatova.
Në prezantimin e organizuar ishte e pranishme edhe koordinatorja e përhershme e Kombeve të Bashkuara në Maqedoni, Luisa Vinton e cila shprehu kënaqësinë se Republika e Maqedonisë është vendi i parë në rajon që ka bërë hulumtim të tillë që është sipas standardeve ndërkombëtare për trajtimin e personave që janë të varur nga droga.
Hulumtimi është zbatuar me mbështetje nga programi i UNODC-SZO trajtimit dhe kujdesit të varësisë nga droga. Në hulmtimin janë përfshirë të gjitha palët e involvuara (institucionet qeveritare, sektori civil, organizatat shëndetësore private dhe shfrytëzuesit e programeve).