Në Maqedoni punësohen të arsimuarit me tetëvjeçare ose të mesme e anashkalohen doktor shkencash dhe magjistra

Kryesore | Publikuar më 17.10.2017 në ora 17:42

Në Maqedoni, sipas të dhënave të fundit të papunë janë edhe 38 doktorë të shkencave dhe 863 magjistra, ndërsa nga ana tjetër qindra bashkepunëtorë të ri administrator, kanë vetëm tetëvjeçaren ose të mesmen dhe janë inkuadruar në punë, ose presin punë. Se ky shtet duhet të jetë përgjegjës për njerëzit e avancuar, aq më shumë kur bëhet fjalë për ata me arsim të lartë, të shkallës së dytë ose të tretë, ku kanë dhënë mund dhe kanë invstuar shuma të majme, Profesorët Universitar thonë se në rrethanat tona, ku jetojmë, shoqëria ka ra preh e partive politike. Ndërsa ky subjekt, nuk përkujdeset për të arsimuarit, raporton Almakos.

“Duke i njohur rrethanat tona në bazë të të cilave funksionojmë dhe udhëhiqemi si shoqëri dhe si shtet, sigurisht që probleme të kësaj natyre janë shumë aktuale, sidomos ato që janë të lidhura  me punësimin. Sado që nga raportet periodike të Bankës Botërore dhe formave të tjera të raportimeve të autoriteteve qeveritare flitet që ka një ngritje të të punësuarve përfshirë këtu edhe sektorin publik edhe atë privat. Por, bazuar nga rrethanat që njohim dhe situatën me të cilën çdo ditë e më shumë po ndeshemi, jemi dëshmitarë të një situate krejtësisht tjetër.

Autoritetet qeveritare, Ministria për punë dhe Politikë Sociale, më konkretisht, Agjensioni për punësim, në pamundësi për të krijuar politika të mirëfillta, të cilat do të çonin kah zbutja apo ulja e nivelit të papunësisë, këto kompetenca sot, janë më tepër në duart e subjekteve apo të partive politike, të cilat marrin këtë si detyrim, kuptohet edhe për hirë të interesave partiake, këtë kategori të të papunëve e konsiderojnë si potencialin e tyre për ti gjetur një vend pune, apo për ta trajtuar atë si militant partiak dhe si të atillë t’i sigurojnë apo ti gjejnë edhe një vend pune.

Një politikë krejtësisht e gabuar dhe shumë e dëmshme për shoqërinë tonë”, tha Besa Kadriu, profesore universitare, për Almakos.

Kadriu shton se do të duhet të ndryshohen këto përvoja jo të mira, të cilat i janë imponuar rrethanave edhe më herët por, që janë fatkeqësisht aktuale edhe sot, dhe për më tepër se kaq edhe tendenca më e vogël nuk ekziston për të bërë apo krijuar një përvojë tjetër të re, sado që ka potenciale profesionale të arritura në pikëpamje shkencore dhe të dëshmuar në punën e tyre si studiues, por ja që rrethanat e kushteve të sotme i detyrojnë ata edhe sot të ngelen ende të papunë.

Raportet e këtij viti tregojnë se ka rritje të numrit të të punësuarve, por Kadriu thotë se ky numër në rritje vjen nga sektori privat e jo ai shtetëror, ku edhe shteti është i detyruar t’u krijojë vende pune të arsimuarve.

“Nga të dhënat që merren në formë të raporteve për shkallën e papunësisë nga Banka Botërore, për vendet e Ballkanit perëndimor, bazuar edhe në të dhënat që i mbështesin nga raportet e qeverive të vendeve përkatëse, edhe Maqedonia, nga raporti i vitit 2017, thuhet që ka rritje, por sigurisht këto si të dhëna bazohen në sektorin privat, sepse ka në përqindje rritje të punësimeve në këtë sektorin por kjo është çështje tek e cila mund të përkojnë interesa të tjera dhe çështje për të cilat len hapësirë për t’u diskutuar.

Në rradhë të parë ne duhet të dimë që është detyrim i shtetit që të sigurojë mundësi për trajtim në radhë të parë të kuadrove, të cilat kanë cilësi dhe mbështesin profesionalizmin dhe më pas të vehen në konsideratë çështje të interesave të ngushta partiake”, tha Kadriu, për Almakos

Ndërsa, profesor Agni Aliu thotë që institucionet përkatëse duhet të jenë më të vëmendshëm për kuadrin cilësor, dhe me shkallë të lartë të arsimit, sepse në Maqedoni ndodh një fenomen i prapshtë, ku ofrohet punë të pa shkolluarve e mënjanohen të shkolluarit, të cilët japin kontribut të devotshëm.

“Çështja e punësimit është një problem ndërkombëtar, në të cilën merret mbarë bota, por në Republikën tonë ka një problem shumë më të madh se sa të tjerët, se ato kanë filluar të ndërtojnë standarde për procesin e punësimit si një nga të drejtat themelore të rendit kushtetues të një shteti ndër të parët, nga se ajo është një faktor, nga e cila njeriu mbijeton. Ditëve të fundit ka disa shkëndi që institucionet t’u kushtohen një vëmendje të posaçme dhe të kërkohet një rrugëzgjidhje, veçmas për të papunët me shkallë të lartë arsimore, gjë që është fateqësi e madhe në shekullin 21. Por, unë mbetem me shpresë se qeveria e ardhëshme e predispozuar për kualicione, do të përkushtohet. Sepse s’është logjike që doktor të shkencave apo magjistrat të anashkalohen e të marrin të holla të gatshme personat e partisë, duke ndenjur në shtëpi dhe kjo askund në botë, nuk ekziston. Unë kam përshtypje se ato do të duhet të sistemohen jo vetëm sipas shkallës së arsimit, po edhe sipas profesionit përkatës. Ndërsa për ata të shkallës së lartë duhet të inkuadrohen sepse ata japin një kontribut”, profesori universitar, Agni Aliu, për Almakos.

Aliu thotë se një nga faktorët kryesor që pengojnë arritjen e rezultateve, pikërisht është mos funksionimi i administratës, ku edhe nuk punësohen sipas rregullave normale, përkundrazi ato shkojnë në bazë të partive, si persona të interesit. Por, është i mendimit se duhet të hapen vende pune që të përfshihen njerëz me arsim, kualitativ, që dal ngadal kjo rrugë të zgjidhet.

Shkalla e papunësisë prej 22.6 përqind udhëzon se Maqedonia akoma ka shkallë të lartë të papunësisë edhe si rrjedhojë e mosharmonizimit midis ofertës së sistemit arsimor dhe nevojave të tregut të punës. Aliu mendon se një nga parimet kryesore, se po të ishin punësuar njerëzit sipas parimit meritor, profesional, ekspertë të lëmisë përkatëse, atëherë rezultatet do të ishin shumë më të mëdhaja.

Prandaj, partirtë politike duhet të kthehen në rrugën e vërtetë, që të përpiqen të hapin vende të reja pune.
Delvina Kërluku
Almakos.com