Në Shqipëri sekuestrohet 1.2 ton kanabis

Shqipëri | Publikuar më 16.02.2017 në ora 18:31

Gjatë një operacioni në jug të Shqipërisë, në Vlorë, policia ka sekuestruar rreth 1 ton e 255 kilogramë lëndë narkotike të llojit kanabis sativa, transmeton AA.

Në një njoftim zyrtar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë konfirmohet se gjatë operacionit është arrestuar në flagrancë një person, i dyshuar si poseduesi i lëndës narkotike, konkretisht shtetasi I. Borakaj, 55 vjeç, banues në Vlorë. Policia ka shpallur në kërkim vëllain e të arrestuarit.

“Policia e Vlorës, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, ka zhvilluar një operacion antidrogë në fshatin Peshkëpi, Vlorë, mbi bazën e të cilit është sekuestruar një sasi e konsiderueshme me lëndë narkotike me peshë prej 1255 kilogramë, e dyshuar e llojit kanabis sativa. Lënda narkotike, ishte fshehur poshtë banesës së këtij shtetasi, nëpër tunele të nëndheshme të hapura posaçërisht për fshehjen e saj, vendosur nëpër paketime të mbështjella me qese dhe natriban ngjitës”, thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas policisë, lënda narkotike e sekuestruar do të trafikohej në ditët në vijim drejt Italisë.

Powered by WPeMatico