Universiteti “Nënë Tereza” ka mungesë të kuadrit si të profesorëve ashtu edhe administratorëve. Se pse nuk plotësohen këto vende pune, për këtë çështje është përgjegjës të flet vetëm Rektori Aziz Pollozhani, thotë prorektori i këtij universiteti Bekim Fetaji, njëherë edhe Dekan i Fakultetit të Shkencave të Informatikës.
“Informata më të sakta mund të merrni nga rektori i Universitetit Nënë Tereza”, tha shkurt Fetaji. Në mungesë të përgjigjes së rektorit, Fetaji u arsyetua se rektori është në udhëtim.
Rizvan Sulejmani, pjesë e stafit të këtij Universiteti tha se për plotësimin e vendeve nuk ka patur të interesuar në disa drejtime dhe departamente. “Për disa konkurse nuk ka patur të interesuar”, tha shkurt Sulejmani, për Almakos. Ndërsa, njejtë si prorektori Fetaji, u arsyetua se për këtë çështje është përgjegjës rektori të përgjigjet .
Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup, deri në fund të vitit pritet të plotësojë numrin e duhur të profesorëve dhe numrin e administratorëve. Rektori Aziz Pollozhani ka deklaruar, këtë të shtunë, se vonesa për pranimin e profesorëve është bërë me qëllim të zgjidhjes më cilësore të tyre. Por nuk ka thënë se ka patur interesim të pamjaftueshëm.
Në këtë universitet janë punësuar afër 70 vetë, në procedurë janë edhe 15. Sipas rektorit ky universitet ka marrë pajtim nga ministria e financave edhe për punësimin e 20 administratorëve të cilët më shumë se gjysma janë realizuar dhe tjetra janë në shqyrtim e sipër.
Kandidatët që kanë konkuruar thonë se punësimi në këtë Universitet bëhet në baza partiake.
“Kam konkuruar, në programin studimor: Politika Sociale dhe Punë Sociale, si asistent për lëndën “Menaxhimi i Resurseve Humane”, por nuk kam marrë përgjigje positive, as edhe përgjigje negative, që nuk i përmbush kriteret. Gjë që nuk është e vërtetë sepse jam magistër e specializuar në drejtimin për menaxhimin e resurseve humane dhe atë me notë mesatare të lartë 9,5 dhe me 264 kredi. Nëse ka mungesë të kuadrit, atëherë pse nuk na marrin në punë”, tha një kandidat për punë në Univesitet, për Almakos.
Ky universitet ka shpallur konkurs në nëtor të vitit 2017 Për zgjedhjen e mësimdhënësve në të gjitha thirrjet mësimore – shkencore dhe bashkëpunëtorë (asistentë – doktorantë) të fakulteteve në përbërje të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, poashtu vazhdon të nxjerr konkurse për punësim në departamente të ndryshme.
Në këtë Universitet nuk është vetëm problemi i kuadrit, por edhe i kampusit universitar, gjë që u premtua në hapësirat e kazermës së Ilindenit, por nuk shihen aspak ndërtimi i së njejtës.
D.K
Almakos.com