Numri i shqiptarëve ambasadorë nga Maqedonia, në vendet përkatëse është i vogël, nga gjithësej 60, sa është numri i përgjithshëm i ambasadorëve. Për shqiptarët janë premtuar 12 vende, ku do ta përfaqësojnë Maqedoninë. Për momentin, detyrën e ambasadorit e kryejnë vetëm dy shqiptarë. Analistët mendojnë se ky veprim i mos akreditimit të shqiptarëve është një hakmarrje, ndaj këtij komuniteti, shkruan Almakos.
“Mungesa dhe shprazëtia që paraqitet në diplomaci, posaçërisht të ambasadorëve të Maqedonisë në shtetet e caktuar, është një veprim i kryetarit të shtetit që t’u merret kjo pozitë, shqiptarëve. Këto vende janë të destinuara, për ambasadorët shqiptar, ku filloi prej momentit kur BDI u shpreh se ‘nuk e njohin kryetarin e shtetit’ dhe Ivanov, në emër të asaj hakmerret, ku i ktheu aty ku i kanë kompetencat, duke mos i akredituar ambasadorë. Ka edhe një problem tjetër, që janë raste të LSDM-së, që është dashtë të shkojnë ambasadorë, por edhe ato i futi në një thes me shqiptarët, nuk dëshiroi t’i akreditojë, gjithmonë me këtë pretekst. Në kuadër të kësaj, kjo qeveri, veçmas në parlament, ka filluar të çojë zërin si hakmarrje, ku edhe t’i djeg aty ku mundet. Pra, e ulën topin duke u drejtuar në institucionin më të lartë, aty ku ka komision të posaçëm, për të verifikuar gatishmërinë e tij, por edhe ai komision nuk jep pëlqim, siç ishte edhe rasti me deputetin e VMRO-së”, thotë analisti politik Aladin Demiri, për Almakos.
Ndërkohë, me ndryshimet e fundit të Ligjit për Punë të Jashtme, në dhjetor të vitit 2015, një e treta nga numri i përgjithshëm i shefave diplomacisë emërohen nga radhët e nëpunësve diplomatik me njohuri të larta diplomatike në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Njëkohësisht, një e treta e diplomatëve të huaj duhet të jenë personalitete të shquara shkencore dhe kulturore nga fusha e politikës së jashtme si dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.
Nëse shqiptarët kanë kuadër të mirëfilltë, për të përfaqësuar vendin, Demiri thotë se ky konstatim është nga anti shqiptarët, sepse shqiptari ka dituri dhe di të paraqitet e të punojë.
“Ai ligj është fluid dhe nuk është i saktë. Është një ligj për të dal nga situata, ku partitë ti pengojnë. Ai e mbrojti Ministrinë e Punëve të Jashtme, ku i quajti puntorët e kësaj ministrie gjithë ekspertë, ku është edhe larg të vërtetës”, tha Demiri, për Almakos.
Ai shton se për të dal nga kjo gjendje duhet të plotësohen dy kushte.
“Ka dy kushte, e para është t’i skadojë afati kryetarit të shtetit, dhe e dyta është se Zaevi premton shumë gjëra, por nuk e di a do t’i realizojë”, tha Demiri.
Maqedonia, për moment, nuk ka ambasadorë në Bruksel, Londër, Paris, Oslo, Talin, Varshavë, Bukuresht, Bern, Madrid, Pekin, Pragë, Podgoricë dhe Zagreb. Për momentin janë 13 pozita të lira të ambasadorëve, prej të cilëve 12 janë në shtetet e Evropës, një në Kinë dhe tre pozita konsullore. Për më shumë se dy vjet, Maqedonia ka mbetur pa ambasador edhe në Misionin e BE-së dhe në Kombet e Bashkuara në Gjenevë. Presidenti i shtetit vazhdon të refuzojë akreditimin e kandidatëve, ndërsa nga Qeveria qetësojnë duke u shprehur se kryeministri Zoran Zaev është në kontakte me presidentin Gjorgje Ivanov dhe se shumë shpejtë, mosmarrëveshjet do të zgjidhen. Mirëpo, në Qeveri askush nuk është në gjendje të tregojë se sa ambasador do t’u takojnë partnerëve shqiptarë në koalicionin qeverisës, megjithëse thuhet se rëndësi të veçantë do t’i kushtohet faktit që ambasadorët e emëruar, të kenë karrierë diplomatike dhe të jenë profesional e jo të jenë kuadro partiake.
Aktualisht, ambasador shqiptarë kemi në Kopenhagë dhe Konsullin e Çikagos.
/Delvina Kërluku
Almakos.com