Nga një artiste në kampione të artë, Geta Beqa: Ju rrëfej storjen time të suksesit (Foto/Video)

Sport | Publikuar më 13.01.2018 në ora 18:30

Kampionia e Kosovës në ‘bodybuilding’, Gentiana Beqa e ka cilësuar vitin 2017, si një ndër më të suksesshmit në karrierën e saj.

Ajo ka arritur të bëjë krenarë shqiptarët me sukseset e shumta jashtë vendit, teksa e ka dëshmuar që di të triumfojë gjithmonë e para.

Geta Beqa, kampionia shqiptare në ‘bodybuilding’

Medalje të shumta e trofe në kampionatet e ndryshme, i sollën asaj epitetin si një ndër ‘bodybuilder’-et më të suksesshme shqiptare.

Geta në një intervistë për Telegrafin ka folur rreth sukseseve të saj gjatë vitit 2017, të cilin e cilëson si më të suksesshmin të karrierës së saj.

“Medaljet e arta më bëjnë të ndjehem komplet e artë, sepse më dëshmuan për punën e drejtë dhe profesionale që kam bërë, medalja botërore më bëri jashtë masë të lumtur sepse mbylla vitin 2017 ashtu si kam kërkuar. Është një rrugëtim i gjatë për me mbërri deri këtu shumë vite kam punuar pa bërë zhurmë dhe pa bërë zhurmë dhe pa bërë mediale rrugën time sepse dëshiroja që veprat e mija të flasin vet”, tha Geta Beqa për Telegrafin.

Geta Beqa

Tutje, ish-aktorja e kthyer tashmë në ‘bodybuildere’ tregoi se kush e ka mbështetur gjatë rrugëtimit të saj të suksesshëm, duke e vënë veten në rend të parë.

“Së pari më ka mbështetur vet Geta, sepse në asnjë rrugëtim nuk mundesh me pas sukses nëse nuk e ndjen dhe nuk e don, pastaj kam përkrahjen e familjes, ku dua me cek bashkëshortin tim, Drenin, dhe vëllanë, Elvinin”, thotë ajo.

Në vazhdimin e bisedës, ajo përmendi disa nga triumfet e saj gjatë 2017-s, me shpresën se gjatë këtij viti do t’i dyfishojë ato.

“Me kampionate kam filluar në muajin maj, dhe kam marrë gjithsej këta tituj:

  • Vendin e parë në “European Champion 2017” 
  • Vendin e parë në “Wellness Arnold Clasik Europe 2017” 
  • Vendin e parë në “Wellness Diamond Cup Milano2017” 
  • Vendin e parë në “World Champion 2017”. 
  • Triumfuese në “Overall Wellness Diamond Cup Milano 2017” 
  • Triumfuese në “Wellness Diamond Cup Milano 2017”.

Vitin 2017 e përshkruaj si më të mirin, e di që shumë atletë kanë ëndërr që për herë të parë të mbërrijë këtu, ndjehem shumë krenare dhe e mbushur me siguri për vitin 2018″, shton kampionia Beqa.

Geta Beqa e emocionuar pas triumfit të fundit

Ajo gjithashtu përmendi edhe disa nga synimet e saj për të ardhmen.

“Tani jam atlete në IFBB Pro, tani garoj vetëm në gara profesionaliste, dhe po përgatitem për një vit tjetër edhe më të suksesshëm”, tregon Geta.

Geta tash e sa kohë është e përkushtuar ndaj ushtrimeve edhe në qendrën e saj të fitnesit në Prishtinë. Ajo tregon më tutje se si është një ditë e zakonshme e saj në palestër, dhe 1farë marrëdhënie ka me fytyrat publike që zgjedhin të ushtrojnë aty.

“Unë stërvitem çdo ditë në fitnesin tim “Getfit” në Prishtinë, ku kam krijuar një ambient me pajisjet më profesionale në vend, e frekuentojnë më shumë vajzat dhe vlerësojnë njerëzit të cilët dëshirojnë me të vërtet sukses. Gjithashtu edhe figurat publike ndihen në një ambient më privat dhe vërtet punojnë me persona profesionalë. Unë ushtroj dy herë në ditë dhe zakonisht preferoj që të kem dy apo tre ditë në javë edhe për të bërë aktivitete fizike”.

Për të gjithë ata që e njohin, e dinë se Geta e kishte filluar karrierën e saj shumë vite më parë, por jo në këtë profesion, por si aktore, duke luajtur në plot skeçe interesante dhe shumë të suksesshme të aktorit të njohur kosovar Sevdai Radogoshi.

Për Telegrafin, ajo tregoi se si e kujton kohën kur merrej me art, gjë të cilën e dëshiron ende.

“E vërtet që jam marrë, e adhuroj dhe ende merrem me aktrim, është pjesë ku unë jam rrit në skenën e artit”, tregon ish-aktorja e kthyer tashmë në kampione, Geta Beqa.

Fundin e bisedës, kampiona Beqa e përmbylli me një mesazh për të gjithë ata që duan të arrijnë diçka dhe të bëhen dikushi në jetë, duke realizuar ëndrrat e tyre.

“Ju falënderoj për intervistën dhe jeni të mirëseardhur, sepse e di që kush i lexon dhe i sheh intervistat motivohet që të fillojë aktivitetin ose mos të ndalet, mesazhi im për të gjithë lexuesit është që secili person që mundet të arrijë deri aty ku dëshiron vetëm me pune, edhe unë kam pas shumë herë barriera po nuk jam ndal, mos u dorëzoni sfidon çdo problem, dua t’ju shoh te gjithë të lumtur”, përfundoi Geta Beqa për Telegrafin.

Ajo e përmbylli rrëfimin e saj me ndjenjën e triumfit, kjo pasi gjithçka ka dashur në jetë e ka arritur falë punës së madhe me përkushtim, dhe sot gëzon famën dhe suksesin e shumë-dëshiruar. /Telegrafi/