04 July
Të revoltuar nga mos zgjidhja e ngërçit politik në komunën e Bogovinës, Sindikata rajonale e Arsimit paralajmëron protesta më 6 korrik. Thonë se tash dy muaj mbi 500 të punësuar në arsim dhe administratë kanë mbetur pa rroga.
Ne gati tre muaj jemi pa rroga. Arsimtarët përpos rrogave prej më 1 korrik janë edhe pa sigurim. Si e para mos të flasim për intervenime të mëdha shëndetësore edhe pse ka edhe ashtu raste, por ka arsimtarë që janë edhe me terapi mujore që duhet ti marrin barnat dhe shumë arsimtarë na janë drejtuar për sqarim pse s`mund ti marrin barnat. Kërkojmë që të kenë mirëkuptim këshilltarët dhe ta zgjedhin brenda këtyre ditëve dhe të bëhen mëshirues, sepse ne jemi bë për mëshirë, por nëse ata nuk merren vesh, zgjidhjen e shohim në Qeveri, që të merr kompetencat Qeveria – deklaroi Teuta Osmani, Kryetare e Sindikatës Rajonale të arsimit.
Kreu i këshillit komunal Safet Imeri premton zgjidhje të problemit brenda dy ditësh, pasi siç tha janë dakorduar me këshilltarët komunal. Zgjidhjen e ngërçit në Komunë të Bogovinës e kërkon e LR PDSH-ja. Nëpërmjet një komunikate të partisë së Selës, thuhet se kryesuesi i këshillit është i obliguar që në afat prej 15 ditësh të caktojë mbledhjen dhe të zgjidhet kandidati që do merr shumicën e votave. Nuk mund që kjo pozitë të mbahet peng nga ndonjë kandidat apo parti politike.
Përndryshe, komuna e Bogovinës është pa kryetar komune, që nga data 6 maj, kur si pasojë e një zënke verbale, mbeti i vrarë kreu i komunës Hazbi Idrizi.
Bashkim Sulejmani