Ngjarja e 27 prillit në Parlamentin e Maqedonise – sfida e rradhës për shqiptarët

Kryesore | Publikuar më 09.05.2017 në ora 00:52

Afrim FANDA

Shpesh më mundon të kuptoj se cfar është ajo që na dëmton kujtesën tonë historike (madje dhe atë të afërt), gjykimin tone politik dhe instiktin për mbijetesë si komb ne përgjithsi!? E në veçanti, çfar është ajo që në momente të volitshme për të ndryshuar pozitën e tyre përmes ndryshimit të statusit kushtetues në Maqedoni, i bën shqiptarët qe të fillojne te flasin per multietnicitet, multikulturë, stabilitet të regjionit etj? Gjërat që lexova në dy shkrime të këtyre ditëve dhe deklaratat e politikaneve aktual dhe mbështetësve të tyre militante, më tmeruan me idetë e vëllazërim-bashkimit të kohës së RSFJ.
Eshtë mentaliteti prej skllavi i nënshtruar, i rënjosur thellë në vetëdijen e një popullate që ka jetuar me breza nën kushtet e terrorrit? Apo mbisundon zëri i profiterëve injorantë “të shkathët” që fërkojnë duart të kënaqur që nga kjo fatkeqsi e bashkëkombasve bëhen të pasar brenda natës, ndërkohë që pjesa tjetër qëndrojnë të nënshtruar dhe të heshtur, të lumtur që kanë arritur të sigurojnë mbijetesën fizike për vete dhe familjet e tyre?
Pas ngjarjes së 27 prillit në parlamentin maqedonas dhe rrahjes barbare para kamerave të z. Sela, nuk u besoja syve se çfar lexoja në një shkrim të stilit “Boro e Ramizi “ të kohës së RSFJ, me titull “Sela dhe Zaev u gjakosën për ne”: Zoran Zaev, líder i partisë maqedonase LSDM, në luften e tij për pushtet na paraqitej si shpëtimtar i shqiptarëve, ndërsa z. Sela si hero, sepse sipas artikullshkruesit, u largua nga vendi ku ishin bashkë me z. Zaev, për të tërhequr pas vetes paramilitarët e VMRO dhe me këtë për t’a mbrojtur z. Zaev, pothuajse me jetën e tij! Dhë qe kjo cmenduri të jete akoma më “e besueshme”, edhe vet z. Zaev në një intervistë deklaron se kjo është e vërtetë, dhe se këtë ja ka deklaruar vet z. Sela gjate vizitës që i bëri në spital!?
Në një shkrim tjetër të po atyre ditëve, me titull “Po të vdiste Sela, mbaronte Maqedonia” lexova gjëra akoma më tmeruese. Nuk di se cfar ka dashur te thot artikullshkruesi, por nga ajo që ka shkruajtur në kete shkrim del që ai i konsideron asgjë viktimat e shumta të pafajshme shqiptare, të vrara nga njëra nga këto dy parti maqedonase në pushtet, para ngjarjes së 27 prillit në parlamanetin e Maqedonise, kur sic thot ai “ra shteti, u vra demokracia”. Paramendoni sa përzemër e ka Maqedoninë me regullimin shtetëror unitar, ky opinionist shqiptar! Sipas tij, demokracija në Maqedoni ka funksionuar në kohën kur u masakruan shqiptarët në Kumanovë, Brodec, Gostivar, Reçicë të Vogël – Tetovë, Bit Pazar të Shkupit, kur u likuidua pa gjyq Harun Aliu me shokë …!?
Njëkohësisht, në rrjetet sociale vërshuan shpalljet e heronjve, duke filluar me z. Sela, e duke përfunduar me policin shqiptar, pjestar i sigurimit te parlamentit, te cilët hapën dyert e parlamentit për paramilitarët e VMRO të etur për gjak.
Sinqerisht, prisnja qe donjëri nga intelektualët, anëtarë te LRPDSH, disa nga ta miq të mi, në pamundësi të z. Sela, te dalin me një deklarate te matur, sqaruese dhe kthjelluese per anëtarësine dhe simpatizantët e tyre, por edhe për opinionin e gjërë, me kërkesën që të ndalojnë me shpalljen patetike te heronjve dhe “datave historike”. Të sqarojnë opinionin se kjo që ndodhi në parlament, nuk tregoi heroizmin tonë, po pafuqinë tonë dhë faktin e të qenit akoma sot e kësaj dite viktimë brutale e shovinizmit maqedonas, në saje të pozitës dhe statusit akoma të paregulluar kushtetues. Se z. Sela u rrah në mënyrë barbare nga shovinistët maqedonas jo duke bërë heroizma, por duke tentuar themelimin e një qeverie koalicioni, për shqiptarët pothuajse e njëjtë me atë të kaluarën. Me po ata shqiptarë që ishin në pushtet, që nga viti 2001, në koalicion herë me njërën parti maqedonase e herë me tjetrën, ndjekur nga dhuna dhe masakrat ndaj shqiptarëve gjatë gjithë kohës të qenit në pushtet.
Por kjo, për fat të keq nuk ndodhi. Përkundrazi, ngjarja e 27 prillit në parlament për shqiptarët la pas vetes shum pyetje dhe dyshime: rëzimi i z. Gruevski dhe VMRO-së nga pushteti dhe zëvendsimi me LSDM-në në krye me z. Zaev, u bë qëllim në vete për shqiptarët? Kanë besim shqiptarët akoma tek z. Zaev dhe LSDM pas deklaratave mospërfillëse lidhur me kërkesat e platformës dhënë gazetës serbe Kurir pak ditë pas ngjarjes së 27 prillit? Do kthehet pas kësaj z. Sela ne po atë parlament te Maqedonise, ku u rrah dhe u tërhoq zvarë në mënyrën më jonjerezore? Cfar mbrojtje të interesave të votuesve të tij do t’u sigurojë ai me pjesmarjen e tij te mëtutjeshme në këtë parlament, ku ai nuk ishte në gjendje per të mbrojtur as jetën e tij?
E vetmja shprese ngelet që kjo ngjarje shum domethënëse dhe e freskët, t’u shërbejë si mësim shqiptarëve se nuk ua mbron jetën, mireqenien dhe të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve të tyre buzeqeshja dhe “fjala e nderit” e Zaevit, apo cilido përfaqësues tjetër nga pala maqedonase. Platforma “as mish as peshk”, konfuze, të paqarta dhe me kërkesa gjysmake, të pathëna deri në fund, nuk “qetësojnë” palën maqedonase e as zgjidhin çështjen shqiptare në Maqedoni. Në Maqedoninë si shtet unitar , edhe me angazhimin e deklaruar të z. Zaev, shqiptarët do vazhdojnë të jenë të diskriminuar dhe të pasigurtë as për jetën e tyre, por edhe maqedonasit sado te privilegjuar të jenë nga ky sistem unitar, do të jenë peng i pakenaqesise dhe pozites se rende te shqiptareve. E ardhmja e shqiptareve por edhe e ardhmja e maqedonasve do vazdojë të jetë perplot reziqe e te papritura nga statusi i paregulluar i shqiptareve dhe kështu do të jetë derisa edhe për shqiptarët të vlejë si për të gjithë kombet e tjera në Europë parimi themelor i demokracisë, ai i vetvendosjes.