Nishani dekreton ministrat e rinj

Shqipëri | Publikuar më 20.03.2017 në ora 11:02

Presidenti i Republikës Bujar Nishani dekretoi të hënën emërimin e 4 ministrave të rinj të kabinetit qeveritar, pas propozimit të Kryeministrit Edi Rama, për ndryshime në qeveri.

Me dekrete të veçanta, kreu i Shtetit dekretoi shkarkimin e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe emërimin në këtë post të Fatmir Xhafaj.

Po ashtu, Presidenti dekretoi shkarkimin e ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe emërimin në këtë post të Ogerta Manastirliut.

Një tjetër ndryshim i propozuar nga Kryeministri Rama dhe i dekretuar sot nga Kreu i Shtetit është edhe shkarkimi i ministrit të Shtetit për Çështjet Vendore, Blendi Çuçi dhe emërimi në këtë post i Eduard Shalsit.

Presidenti dekretoi edhe shkarkimin e ministrit të Mirëqenies Sociale, dhe Rinisë, Blendi Klosi dhe emërimin në këtë detyrë të Olta Xhaçkës.

Një javë më parë, Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste, konfirmoi largimet e 4 ministrave dhe propozoi emrat e rinj, duke argumentuar se këto ndryshime u bënë nga fushata e pritshme elektorale e zgjedhjeve të 18 qershorit.