25 May
Banorët e fshatit Lubanishtë nuk duhet të shqetësohen për rrezikun e shpronësimit të pronave të tyre. Projekti i biznesmenit kontrovers indian Subrata Roj për ndërtimin e një kompleksi luksoz turistik me hotel në ujë, tashmë ka hyrë në histori si i parealizueshëm. Nga i tërë projekti kanë mbetur vetëm fotografitë e Subratës me krerët e VMRO-DPMNE-së që e premtuan projektin, Nikola Gruevski, Zoran Stravrevski dhe të tjerë.
Ky projekt tashmë është i lënë anash, e kam fjalën për projektin Lubanishtë – deklaroi Nikola Bakraçeski, kryetar i Ohrit.
Projekte të këtilla megalomane me mashtrues, kjo qeveri në largim nuk arriti t’i realizojë sepse do të ishin në dëm të popullatës duke shpronësuar me dhunë pronat e tyre – tha Tomislav Tuntev, deputet i LSDM-së nga Ohri.
Por, i paqartë është fati i hotelit Slavija, objekt që po shkon drejt shkatërrimit, edhe pse është në qendër të Ohrit.
“Nga projektet e Subrata Roj në Ohër ka mbetur vetëm kjo tabelë e kompanisë para hotelit Slavija ku qëndron emri “Sahara Global”. Hoteli të cilin Sahara Grup e bleu para disa viteve, nuk punon”.
Autoritetet lokale pohojnë se nuk mund të bëjnë asgjë rreth këtij hoteli që pritej të bëhet objekt reprezentativ i Sahara Grup në Maqedoni.
Hoteli Slavija është në pronësi të tyre dhe nuk mund të supozoj se çfarë planifikon kompania e Subrata Roj të bëjë me këtë objekt për momentin – u shpreh Nikola Bakraçeski, kryetar i Ohrit.
Nga ana tjetër, hoteli nga i cili ekzistencën e siguronin dhjetëra familje, e blenë për ta mbyllur dhe tani këto dhjetëra familje kanë mbetur pa mjete për ekzistencë – tha Tomislav Tuntev, deputet i LSDM-së nga Ohri.
Nga Sahara Grup tashmë dy javë nuk përgjigjen në pyetjet e Alsat M se çfarë plane kanë për hotelin Slavija.
Miki Trajkovski