Zëvendës kryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani, manipuloi opinionin shqiptar në Maqedoni kur në gushtë të këtij viti deklaroi se pjesët e kontestueshme të ligjit për gjuhët janë dërguar për vlerësim në Komisionin e Vencias. Pasi ligji kishte marrë dritë jeshi në qeveri, Osmani pati deklaruar se çështjet e kontestuara të ligjit të gjuhëve, siç janë përdorimi i shqipes në monedhat e vendit, në uniformat e policisë dhe në letrat me vlerë, janë dërguar për vlerësim në Komisionin e Venecias.
“Dispozitat për dygjuhësinë në kartëmonedha, në uniformën e ushtrisë dhe në letrat me vlerë i kemi dërguar në Komisionin e Venecias për të mos rrezikuar që i ligji të na dështoj për shkak të atyre tre dispozitave. Nëse marrim përgjigje pozitive prej atje, do t’i përfshijmë në mënyrë plotësuese. Të tjerat dispozita të llojit uniforma në polici, zjarrfikësve, në shëndetësi në komunat ku shqiptarët janë mbi 20% dhe në Qytetin e Shkupit do të jenë në dy gjuhë”, pati thënë Osmani.
E vërteta është krejtësisht ndryshe. Qeveria në gusht miratoi ligjin për gjuhët, i cili parasheh zgjërimin e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, dhe ngarkoi Ministrinë e drejtësisë dhe të punëve të jashtme, që pasi ligji të votohet në Kuvend, të dërgohet në vlerësim në Komisionin e Vencias.
Ministri i drejtësisë Bilen Saliji pohon se tre dispozitat e kontestueshme të ligjit për gjuhët ende nuk janë dërguar për eskpertizë.
“Nëqoftëse ky Komisioni i Vencias na jep vërejtje eventuale, do të ketë ndryshime dhe plotësime të ligjit konform rekomandimeve të ekspertëve ndërkombëtarë”, thekson Saliji, për Almakos.
Ai rrefuzoi të komentojë deklaratën e zëvendës kryeministrit Osmani se pjesët e kontesuara të ligjit janë dërguar për ekspertizë.
“Nëse u ka thënë Bujar Osmani se janë dërguar dispozitat, duhet ta pyetni atë. Unë nuk di si të përgjigjem”, thotë ai.
Burime të qeverisë kanë konfirmuar qëndrimin e ministrit Saliji se ligji ende nuk është dërguar në ekspertizë në Komisionin e Venecias.
Delvina Kërluku
Almakos.com