Pakti greko-serb, Tsipras e Vuçiq firmosin marrëveshje

Ballkan | Publikuar më 13.07.2017 në ora 21:16

Kryeministri grek Alexis Tsipras, gjatë një takimi të nivelit të lartë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në Selanik, përveçse ka rikonfirmuar marrëdhëniet strategjike me Beogradin, ka çuar edhe mesazhe ndaj Shkupit dhe Ankarasë.

I pyetur sesi do të veprojë Athina për çështjen e emrit të fqinjit të saj verior, ai ka deklaruar se Greqia që kërkon gjithnjë stabilitet në Ballkan kërkon, edhe si kusht për integrimin europian të Shkupit, një zgjidhje për një emër që do të përdoret nga të gjithë, duke theksuar se ky stabilitet kalon nëpërmjet luftës kundër nacionalizmave në brendësi të Ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë.

Presidenti Vuçiq nga ana e tij, teksa ka rikujtuar se Greqia nuk njohu pavarësinë e Kosovës dhe Beogradi nuk ka treguar shumë respekt për këtë fakt, ka kritikuar paraardhësit e tij dhe është shprehur se mbështet Athinën për këtë çështje.

Greqia, investitori i tretë i huaj në Serbi, ka nënshkruar 4 marrëveshje bashkëpunimi me palën serbe në sektorët e energjisë, transportit, rrjeteve dhe turizmit. Tsipras ka përmendur gjithashtu vendimin për rikonstruksionin e linjës hekurrudhore në aksin Pire-Selanik-Beograd, si dhe promovimin e linjave të energjisë dhe bashkëpunimin me gazsjellësit TAP, IGB dhe IBS, që do të kalojnë përmes saj.

Tsipras u është përgjigjur edhe deklaratave të sotme të ministrit të Jashtëm turk, Çavushoglu, që ka paralajmëruar se Ankaraja do të marrë masa kundër Qipros dhe kërkimeve të saj për gazin natyror, ndërsa ka cilësuar palën greke si të pasinqertë në negociatat për ribashkimin e Qipros.

“Kam gjithnjë parasysh një proverb në politikën e jashtme”, ka thënë Tsipras. “Qen i mirë nuk është ai që leh, por ai që ruan mirë. Ne nuk bërtasim dhe as lehim shumë, por jemi të vendosur të mbrojmë sovranitetin e vendit”, ka përfunduar ai. /tch/