Përdorimi i gjuhës letrare, ose thënë ndryshe standarde, në media, për shumë studiues të fushës së gjuhës dhe letërsisë mendojnë se ka lëshime dhe gabime drejtshkrimore. Gjuha si mjet i gazetarit, duhet të përdoret në atë nivel, ku edhe thelbi i mësimit të drejtshkrimit janë rreshtat e tij, për lexuesin. Për profesoreshën Valbona Toska, përdorimi i gjuhës shqipe në media, ka shumë mangësi, ndonëse fjala e tij ka ndikim të madh, në opinionin e gjerë. Ajo shton se edhe komunikimi në rrjetet sociale, në të cilën shoqëria e përdor në mënyrë masive, por niveli i përdorimit të gjuhës standarde nuk përputhet me normat e gjuhës shqipe letrare, shkruan Almakos.
“Në media gjithashtu vërehen mjaft ndikime dhe shmangie nga norma dhe kur ta kemi parasysh fuqinë e madhe ndikuese që kanë ato, përqendrimin tonë duhet ta drejtojmë më shumë nga cilësia e gjuhës së përdorur në to.
Komunikimi nëpër rrjetet sociale paraqet një platformë që nxjerr në pah prirjet e gjuhës së regjistrit bisedor. Sado të konstatojmë dhe se ky është vendi që norma respektohet më së paku (që edhe është e pritshme), nuk mund të mohojmë se ajo gjuhë është një realitet që pasqyron gjendjen. Të rinjtë shqiptarë të Maqedonisë, ashtu si edhe të gjithë të rinjtë e tjerë, në komunikimin bashkëkohor përmes teknologjisë së re përdorin shkurtimet e shumta të përziera ndonjëherë edhe me numra e simbole si: prsh (përshëndetje), flm (faleminderit), sps (s’ka për se), klm (kalofsh mirë) 2shim (dyshim) etj. Ky lloj komunikimi lë përshtypjen se çdo gjë që thuhet duhet të thuhet sa më shpejt, përkatësisht sa më shkurt. Kështu, përdorimi i apostrofit natyrshëm duket i tepërt (ska problem, smund, tia them); bëhen bashkime të pjesëzave, trajtave, nyjave: dot (pjesëzat e kohës së ardhme do të); tët (bashkim i trajtës së shkurtër të me pjesëzën të); tpunon (pjesëza të me foljen); problemin ma tmadh (nyja të me mbiemrin); fjalët shkruhen ashtu si përdoren nëpër të folmet lokale (jan, kan, shum, doktora, turista, dinjoja =dynjaja, shajfni = shikoni, xhi = çka, krietar, ku ke aj = ku ishte ai) e shumë shembuj të tjerë. Mendojmë se pikërisht ky komunikim vlen të analizohet, sepse dinamika e tij gjithashtu sfidon stabilitetin e normës”, thotë Toska, profesore në katedrën e gjuhës shqipe, pranë Universitetit “Kiril dhe Metodij”, në Shkup, për Almakos.
Ajo shton se sa i takon zbatimit të normës duhet të theksojmë se gjuha e shkruar megjithatë është në një nivel më të lartë krahasuar me gjuhën e folur që karakterizohet edhe nga format dialektore.
Për profesoreshën Toska, çështjet që u shtruan më lart vetëm ilustrojnë gjendjen e përdorimit të normës në Maqedoni. Në mungesë të kujdesit institucional për ruajtjen e gjuhës shqipe, i gjithë potenciali profesional duhet të marrë përgjegjësinë për përdorimin e gjuhës me korrektësi, kurse opinioni i gjerë duhet të sensibilizohet në një shkallë më të lartë për rëndësinë e standardit të gjuhës.
Ndërsa, për profesor Bexhet Asani, gazetarët nuk kanë njohurinë e duhur se si flitet e përdoret, në shkrim, gjuha letrare shqipe.
“Sa i përket gjuhës letrare,që përdorin gazetarët, qoftë në Televizion, qoftë nëpër gazeta apo revista, unë nuk jam i kënaqur, sepse ata kanë një nivel të ulët të njohjes së gjuhës letrare shqipe dhe më vjen keq. Gjuha letrare nuk është gjuha e nënës, gjuha letrare mësohet në shkollë, madje është thënë edhe në kongres, se gjuha letrare jo vetëm që shkruhet, por edhe flitet nga njerëz intelektual. Nëqoftëse, se gazetarët e llogaritin veten intelektual duhet ta mësojnë dhe ta flasin në mënyrë të drejtë dhe pa gabime”, tha Asani, për Almakos.
strong>Delvina Kërluku
Almakos.com