Grupi i punës i cili është formuar për të gjetur zgjidhje për zvoglimin e shpenzimeve rrugore të deputetëve, është në finalizim të një propozimi konkret, i cili do të përgjysmonte shpenzimet totale rrugore për deputetët.
Sipas informacioneve që siguroi Almakos nga burime brenda këtij grupi, propozimi është që të formohen tre grupe në bazë të të cilave deputetët do të kompensohen për shpenzimet rrugore, të zvogluara nga 30% në 20%.
Në grupin e parë do të përfshihen deputetët të cilët jetojnë 70 kilometra ( një drejtim) larg kryeqytetit për të cilët parashihet që pagesë të marrin për derivatin e harxhuar dhe pagesat e bëra në pikëpagesat rrugore.
Në grupin e dytë, do të përfshihen deputetët të cilët jetojnë nga 70 deri në 120 kilometra larg Shkupit, të cilëve do t’u jepen për përdorim vetura për të cilat do të paguajë çdo muaj Kuvendi, mirëpo më pas të njejtat mbeten në pronësi të Kuvendit. Ky grup ka të drejtë që të zgjedh mes këtij opsioni dhe opsionit të parë.
Në grupin e tretë, do të përfshihen ata deputetë të cilët jetojnë nga 120 e më shumë kilometra larg kryeqytetit, të cilëve do t’u ofrohet mundësia që të marrin apartament me qera në Shkup kundrejt një pagesë prej 300 eurosh, si dhe 100 euro për shpenzime të tjera. Deputët që do të jenë në këtë kategori do të mund të zgjedhin mes kësaj mundësie dhe dy te tjerave të sipërpërmendura.
Megjithatë nuk përjashtohet mundësia që deputetët që jetojnë jashtë kryeqytetit të vendosen nëpër banesat shtetërore, por kjo është një ide ende e papërpiluar.
Deputetëve do t’u paguhen gjithashtu edhe pagesat që ata bëjnë në pikpagesat rrugore, megjithatë duhet të respektojnë disa rregulla, si: në pikëpagesë të paraqesin ID të deputetit, pagesa të bëhet me kartelë bankare dhe se treti të marrin edhe kuponin tatimor për pagesën e bërë.
Kur ky propozim ligj ishte në komisionin përkatës, pak kohë më parë, i njëjti shkaktoi revoltë tek deputetët e BDI-së, konkretisht deputeti Xhevat Ademi, i cili tha në mënyrë ironike që shpenzimet të mos zvoglohen, por të hiqen fare dhe deputetët të vijnë në punë me biçikleta.
Mirëpo deputeti Rexhail Ismaili, përfaqësues I BDI-së në grupin e punës ku diskutohet për këtë çështje, tha se ende nuk kanë vendosur neës do ta përkrahin propozimin e më sipërm, ndërsa për qëndrimin e Ademit, tha se secili deputet ka të drejtë të bëj propozimin e tij. Me qëndrime të ndryshme janë edhe përfaqësuesit e partive të tjera politike.
“ Do të shohim se si do të veprojmë. Ende jemi në fazën e punimeve dhe ende nuk ka diçka definitive. Çdo deputet e ka të drejtën e vet të propozojë çfarë të dojë”- tha deputeti i BDI-së , Rexhail Ismaili.
“ Ne jemi pjesë e atij grupi pune dhe ky propozim erdhi në kuadër të bisedimeve që realizojmë. Patjetër që do ta përkrahim këtë propozim”- tha deputeti i Lëvizjes BESA, Fadil Zendeli.
“ Nuk jam i gatshëm të përgjigjem”- tha deputeti Vesel Memedi, për të cilin fillimisht u tha se ishte përfaqësues i Aleancës për Shqiptarët në këtë grup pune, por sipas deputetit Syrija Rashdi, Aleanca për Shqiptarët në këtë grup punë s’ ka përfaqësues.
“ Po po do të mbështesim çdo propozim, edhe nëse hiqen plotësisht shpenzimet rrugore, do ta mbështesim, se u bë shumë e madhe kjo temë. Kemi çështje më të rëndësishme në shtet se sa shpenzimet rrugore të deputetëve, të cilat duhet t’i zgjidhim”- tha deputetja e PDSH-së Merale Ferati.
Në grupet e punës nuk marrin pjesë deputetët e VMRO-DPMNE-së , të cilët bojkotojnë punën e Kuvendit.
Nevoja për uljen e shpenzimeve rrugore erdhi pas skandaleve të shumëta të u publikuara rreth keqpërdorimeve që disa deputet të Kuvendit të Maqedonisë kishin bërë.
Përgatiti: Evi Shkopi
Montimi: Evi Shkopi
Kameraman: Dejan Nedelkovski
Almakos.com