Post nubila Phoebus*
(latine)
Veç më po mbushen fiks 26 vite nga mbajtja e zgjedhjeve të para post-komuniste në Maqedoni (11 nëntor 1990) dhe pothuaj se gjërat për shqiptarët kanë ngelur aty dhe ku ishin, thuaja se asnjë gur nuk ka lëvizur më tej që nga periudha socialiste, në mos gjërat të kenë vajtur edhe më keq madje… Duket se akrepat e orës janë ndalur në fund vitet e shek. XX.
Po reflektoja për atë se çfarë përjetuam ne si shqiptarë në tërë këto vite të pluralizmit dhe pyetja qe pa shmangshëm më lindi ishte çfarë nuk përjetuam se… Ladorishti, Bit Pazari, Gostivari, Reçica, Sopoti, Brodeci, vrasja e Komandant Kushtrimit-Harun Aliu, Monstra, Kumanova etj., janë vetëm disa nga ngjarjet që vetëm kur ti lexosh të rrëqethet trupi e jo më ti përshkruash…
26 vite në skenën politike të shqiptarëve të Maqedonisë parakaluan formacione politike nga më të ndryshmet. Shpalosën ide, premtuan parajsën, por në realitet asgjë nuk u duk në horizont, përpos reve të zeza të cilat sa vinin e shtoheshin. Fjalë dhe vetëm fjalë… Ndodhi dhe 2001 kur qindra bij më të mirë të kombit gjithandej iu bashkuan kushtrimit të lirisë me shpresë se këtë herë do të lind Dielli. Shumica prej tyre flijuan gjënë më shtrenjtë – jetën, sakrifikuan gjymtyrët apo përfunduan matanë grilave apo u degdisën në dhé të huaj. Por dhe nga kjo, për fat të keq asgjë…
Pas vitit 2001 në skenë u shfaqën oligarkët marksistë-leninistë-enveristë që histeria ua kaploi kokat dhe deliriumi i shpiu aq larg sa që veten e shpallën “Mesia” të shqiptarëve të Maqedonisë dhe besueshëm trasuan rrugën e babait të tyre ideologjik diktatorit Hoxha: “historia fillon me ne.”
Për më shumë një dekadë në pushtet (2002-2016) subjekti në fjalë jo që bëri regres të skajshëm të çështjes shqiptare në Maqedoni, por ato vajtën një hap më tej: gati se shpërbënë qenien dhe substancën shqiptare në Maqedoni. Kryefjala e tyre, për fat të keq ishte dhe mbeti: Korruptimi shpirtëror, moral, ideor, material, fizik etj.
Ndaj, sot, vetvetiu lind pyetja: Përse dita e diel e 11 dhjetorit 2016 është shumë me rëndësi? Përse shqiptarët e këtij nën qielli sot kanë fatin në duart e tyre që të ndryshojnë thelbësisht gjërat në favor të vetin? Përse duhet ndryshimi?
Skena politike edhe këtë dhjetor të 2016 gumëzhin: Subjekte politike nga më të ndryshmet shpalosën programet dhe ofertat e tyre. Premtime nga më të ndryshmet, herë racionale e herë-herë absurde…
Qytetari shqiptar i Maqedonisë, sot, i zhgënjyer gjer në maksimum, i gënjyer pafundësisht, i lënë në udhëkryq, vihet para dilemës hamletiane: Çfarë të dielën? Kujt t’i jepet kësaj radhe vote? Dhe a thua dhe këtë herë sërish do të zhgënjehet???
Në vijim, pa dashur të zgjatem më tej, do të përpiqem të analizoj shkurt se përse ditën e diel duhet flakur në histori (jo të lavdishme gjithsesi) bijtë ideologjikë të diktatorit Hoxha (BDI). Vota shqiptare këtë herë duhet të ndëshkoj. Të ndëshkoj dhe atë ashpër madje. Të rrëzoj nga skena militantët stalinistë, vjedhësit e fateve njerëzore dhe pasurive. T’i thotë stop zullumit institucional.
Kush mund ta bëj këtë? Shpresa e vetme e votuesit shqiptarë të nëpërkëmbur mbetet opsioni opozitar i Rilindjes, gjegjësisht të rinjtë e Lëvizjes Besa. Në tërë këtë zallamahi imoraliteti, figurat e kësaj lëvizjeje shfaqen plotësisht të pastër e rrezatues morali. Entuziastë për ti çuar gjërat përpara, duke hapëruar drejt synimit sublim: Barazisë së plotë të shqiptarëve në R. e Maqedonisë.
Përse kam besim te këto djelmosha? Kjo, ngase backgroundi i tyre ideologjik nuk është fare i përlyer me ideologjinë e kuqe – siç është ai i pushtetarëve shqipfolës, përkundrazi, janë të rinj që kanë nxënë dijet me forcat e veta në qendrat prestigjioze universitare botërore – larg mendësive totalitariste. Njerëz që kanë vizion dhe dinë se çfarë kërkojnë, gjegjësisht platformën e kanë të qartë.
Prandaj mendoj se ditën e diel vota për të rilindur është sine qua non për një pas 11 Dhjetor ndryshe, një pranverë, rilindje të re, kësaj here me Besë. Rilindje kjo që përfundimisht do i jep fund situatës ku na ka katandisur binomi BDI – ВМРО-ДПМНЕ. Do i jep fund njëherë e përgjithmonë autokracisë, totalitarizmit, pseudo-vlerës dhe më në fund pas rreve të zeza do të lind Dielli, ndaj jo rastësisht dhe e fillova këtë shkrim me thënien e latinëve të urtë, përndryshe nëse edhe pas 11 Dhjetorit ky nën qiell vazhdon akoma të qeveriset nga këto që udhëheqin, atëherë vazhdon … pas shiut përsëri re të zeza.
Ndaj, të dielën më 11 Dhjetor nëpërmjet votës sonë duhet të rilindemi, të rilindemi për të hapëruar krenar dhe me dinjitet drejt të ardhmes sonë të ndritur dhe te brezave të rinj të ndritur, gjegjësisht drejt të ardhmes sonë evropiane.
“Kur të vendosni për të bërë diçka – atëherë bëjeni atë menjëherë dhe pa mëdyshje.” (John F. Kennedy)
______________________________
* thënie latine: Pas reve lind Dielli.