Policia ruan kryetarin e OSHP-së

Kosovë | Publikuar më 17.10.2017 në ora 23:01

Policia e Kosovës ka reaguar pas informacionit në një portal informativ, sipas të cilit ajo ka shpërfillur kërcënimin ndaj një zyrtari të lartë shtetëror.

Përmes një komunikate, Policia thotë se menjëherë pas pranimit të informacionit më 16.10.2017, rreth orës 17:20, zyrtarët policorë kanë takuar ankuesin Blerim Dina, kryetari i Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP), nga i cili janë informuar shkurtimisht lidhur me rastin.

“I njëjti është marrë me veturë zyrtare dhe është sjell në Drejtorinë për Hetime të Krimeve të Rënda në Prishtinë, ku edhe i është marrë deklaratë me shkrim. Për të gjitha veprimet dhe konkretisht për deklaratën e tij, është njoftuar prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore në Prishtinë”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Lidhur me rastin, në konsultim dhe koordinim me prokurorinë kompetente, janë kryer hetime intensive dhe sot janë intervistuar dy persona në cilësinë e të dyshuarve.

Ndaj njërit me aktvendim të prokurorit është caktuar masa e ndalimit 48 orë, ndërsa tjetri është liruar në procedurë të rregullt.

Po ashtu, Policia njofton se bazuar në vlerësimet e bëra ka angazhuar njësi policore në ofrim të sigurisë për kryetarin e OShP-së. /Telegrafi/