27 July
VMRO-DPMNE-ja kërkon ndryshim dhe plotësim të draft marrëveshjes për fqinjësi të mirë mes Maqedonisë dhe Bullgarisë edhepse ajo tashmë është miratuar në Qeveritë e të dy vendeve. Partia e ish kryeministrit Nikolla Gruevski kushtëzon mbështetjen e kësaj marrëveshje me korrektësinë e dy çështjeve në këtë pakt.
Duhet të përfshihet formulimi për popullin maqedonas dhe të mos ndodhë neglizhencë në të. Gjithashtu formulimi për gjuhën maqedonase si kategori Kushtetuese nuk është mjaftueshëm kualitativ dhe nuk është në përputhshmëri me vlerat Evropiane të cilat synojmë t’i aplikojmë në vitin 2017 – deklaroi Nikolla Popovski, Deputet i VMRO-DPMNE-së.
Opozita vlerëson se kjo marrëveshje përfshinë pjesërisht interesat e palës Maqedonase dhe në përgjithësi të palës Bullgare. Por LSDM-ja vlerëson se kërkesat e VMRO-DPMNE-së janë thjeshtë ngritje pluhuri dhe se me deklarata të tilla, partia e Nikolla Gruevskit do të mbete gjithnjë jashtë lojës së proceseve të Maqedonisë.
Kujtohuni pak në amullinë e Platformës nga Tirana dhe deklaratave se nëse LSDM formon Qeveri, Maqedonia do të shkatërrohet. Tendenca për një amulli të tillë ka edhe tani ndaj marrëveshjen për fqinjësi të mirë mes Maqedonisë dhe Bullgarisë. Derisa VMRO-DPMNE-ja dëshiron të merret me histori, me të kaluarën dhe me gënjeshtra, do ta lëmë aty ku është – tha Petre Shilegov, Deputet i LSDM-së.
Ditë më parë Kryeministri Zoran Zaev shpalosi draft marrëveshjen për fqinjësi të mirë mes Maqedonisë dhe Bullgarisë. Marrëveshja në fokus ka bashkëpunimin, ndihmën ndaj Maqedonisë në rrugën e anëtarësimeve Euroatlanike, formimin e Komisioneve të përbashkëta ndër-qeveritare, zhvillimin infrastrukturor, avancimet e kontrolleve doganore dhe përcaktimin e historisë së përbashkët dhe të veçantë. Pakti mes vendeve fqinje është mirëpritur edhe nga Ambasadat e SHBA-ve në Bullgari dhe Maqedoni. Në qëndrimet e tyre thuhet se “Një angazhim i këtillë përbën një shembull inkurajues për zgjidhjen e çështjeve mes fqinjëve dhe rrit stabilitetin politik dhe zhvillimin ekonomik në Ballkanin Perëndimor”. Marrëveshja do të nënshkruhet më 1 gusht në Shkup.
Adrian Kerimi