Edhe tre ditë pas njoftimit të Prokurorisë Publike (PP), se do t’i marrë në pyetje deputetët që kanë hapur dyert e Kuvendit dhe që kanë orientuar turmën drejt salles së konferencave natën e 27 prillit, nuk ka detaje tjera se kur do të ndodh kjo. Hetimet, tani për tani nuk zbardhin ndoshta detajin kyç, nëse do të thirren deputetët e VMRO DPMNE-së dhe koalicionit në cilësinë e dëshmitarit apo si të dyshuar. Kjo çështje është e rëndësishme, sepse nëse janë të dyshuar dhe nëse ndaj tyre merren masa, një pjesë e procedurës patjetër të kaloj nëpër Kuvend për shkak të imunitetit të deputetëve. Por, kryetari i Kuvendit thotë se nuk ka pranuar kurrfarë shkrese.
Deri në këtë moment, nuk ka një kërkesë të tillë nga ana e Prokurorisë Publike për deputetët, të cilët në incizimet e publikuara shihet se si hapin dyert e Kuvendit. Nëse merret një kërkesë e tillë, do të veprohet në bazë të rregullativës ligjore- tha Talat Xhaferi- kryetari i Kuvendit të RM-së.
Sipas Ligjit për deputetë dhe Rregullores së Kuvendit, roli dhe njoftimi i kryetarit të Kuvendit fillon nga momenti kur organi kompetent do të kërkoj paraburgim për deputet. Procedurat përfundojnë me Komisionin për çështje të Rregullores dhe Mandatit e Imunitet, i cili vendos nëse do t’ia merr imunitetin deputetit të dyshuar. Nëse deputeti është i gjykuar në mënyrë fuqiplotë për vepër penale, mund edhe t’i merret mandati, që bëhet me automatizëm nëse vepra penale është me dënim prej të paktën pesë viteve burg, përcjell Alasat.
Në prokurorinë publike tashmë janë paraqitur një pjesë e madhe e deputetëve për ngjarjet e 27 prillit dhe prokuroria nuk kishte kërkesa nga Kuvendi. Por, dallimi është se në të gjitha këto raste, deputetët ishin ose viktima ose dëshmitarë të ngjarjeve. Deputetët e VMRO DPMNE-së dhe koalicionit janë të parët tek të cilët ekziston mundësia që thirren si të dyshuar.