Këshilli për vlerësim i aktit të prokurorisë të Gjykatës Penale e pranoi akuzën për rastin “Titanik 2” për parregullsitë zgjedhore, konfirmuan për MIA-n nga PSP. Në këtë rast të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe autorizimeve janë lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi, ish-anëtari i KSHZ-së, Bedredin Ibrahimi, Aneta Stefanovska dhe Vllatko Sajkovski, si dhe anëtari aktual Sasho Sërcev.
Është pranuar edhe padia për Sasho Mijallkovin për veprën penale, marrje e çmimit për ndikim joligjor. Gjykata nuk e ka pranuar padinë kundër pesë gjykatësve të Gjykatës Administrative, Biljana Nikodinovska Petreska, Lidija Ivanovska, Bllagorodna Arangellova, Aneta Xhigerova dhe Gazmend Fejzuli, të cilët gjithashtu kanë qenë të dyshimtë për parregullsi zgjedhore. Për vendimin e këtillë të gjykatës, PSP mëngjesin e sotëm ka parashtruar apel. Në rastin “Titanik 2”, siç vendosi më herët gjykata, dëshmi do të jenë edhe incizimet nga bisedimet e përgjuara.