Presidenti Nishani uron 9-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Shqipëri | Publikuar më 17.02.2017 në ora 11:15

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, i ka dërguar një mesazh urimi Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me rastin e 9-vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Përfitoj nga rasti të përshëndes të gjitha arritjet e deritanishme të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj për ndërtimin e shtetit të pavarur dhe funksional të Kosovës, si dhe kontributin e rëndësishëm të dhënë në funksion të paqes, sigurisë dhe zhvillimit të rajonit. Jam i bindur se falë këtij progresi, por edhe mbështetjes domethënëse të partnerëve, Kosova shumë shpejt do të bëhet anëtare aktive e organizatave më të rëndësishme ndërkombëtare, si dhe do të avancojë krahas vendeve të tjera të rajonit, në agjendën e saj evropiane”, thuhet në mesazhin e urimit , të publikuar nga Presidenca e Shqipërisë.

Nishani thekson se marrëdhëniet ndërshtetërore mes Shqipërisë dhe Kosovës, janë shumë të veçanta dhe të një rëndësie thelbësore, si për të ardhmen e kombit shqiptar ashtu edhe për stabilitetin dhe përparimin e rajonit.

Powered by WPeMatico