Nxënësit duhet të informohen mirë para se të vendosin se në cilin drejtim dhe në cilën shkollë të mesme do të regjistrohen. Kështu thonë profesorët Tesnim Etemi dhe Shukrane Qazimi, të cilët bëjnë apel deri tek nxënësit që sa më shumë të marrin në konsideratë regjistrimin në drejtimet deficitare. Profesori Tesnim Etemi, në emisionin 8 pa 5 tha se nxënësit janë shumë pak të informuar me drejtimet të cilat në të ardhmen mund t’ju sjellin shumë përfitime.
”Në të gjithë Maqedoninë, kemi pesëmbëdhjetë ose njëzet shqiptarë që është një numër mjaft i vogël për fat të keq. Por njëjtë janë edhe drejtimet tjera si arkitektura, dizajni dhe ndërtimtaria. Ndërkohë, të gjitha këto janë drejtime bashkëkohore të cilat shkolla jonë i ofron”,ka thënë Tesnim Etemi.
Profesoresha Shukrane Qazimi thotë se Shkolla e Mesme e Ndërtimtarisë dhe Gjeodezisë Zdravko Petkovski ofron drejtime profesionale, duke u mundësuar nxënësve përgatitjen e nevojshme për një karrierë të suksesshme.
”Arsyeja kryesore për të qenë pjesë e një shkolle profesionale është për përgatitjen e nxënësve për një karrierë në një të ardhme të afërt. Domethënë ata kur vazhdojnë të shkojnë në një shkollë profesionale, përgatiten dhe kanë një imazh më të pastërt për atë se çka do të bëjnë në universitet”, tha ajo.
Shkolla e Mesme ‘Zdravko Petkovski’, është shkollë ku mësojnë nxënës të etnive të ndryshme, e cila ofron drejtime profesionale, në mesin e të cilëve edhe drejtimet e gjeodezisë, arkitekturës, dizajnit dhe ndërtimtarisë.
Hava Tahiri