Prokuroria Publike pa përgjigje nëse e kanë pranuar raportin e Anti-korrupsionit për parregullsitë e mundshme gjatë financimit të fushatës zgjedhore të BDI-së.
Nuk ka informata nëse kontrollohen të dhënat e raportit të antikorrupsionit për atë se partia e Ali Ahmetit është financuar nga para të buxhetit përmes institucioneve me të cilat ka udhëhequr.
Transparencë Interneshënëll zbuloi keqpërdorim të parave shtetërore nga ana e BDI-së . Sipas kësaj organizate në kundërshtim me Ligjin për financim të partive, si donatorë të partisë janë paraqitur ndërmarrjet publike Postat e Maqedonisë, Aeroportet e Maqedonisë dhe Hekurudha e Maqedonisë- Infrastruktura.
Të dhënat janë marrë nga raporti vjetor i BDI-së të cilin e ka dorëzuar në Entin Shtetëror të Revizionit për vitin zgjedhor 2016. Deputeti Artan Grubi në një takim me gazetarët tha se nuk e di përse Transparenci Interneshënëll ka publikuar të dhëna pa i konsultuar që t’ua sqarojnë procesin.
Sipas tij, të gjithë zyrtarëte zgjedhur dhe të emëruar të BDI-së përmes urdhërpagesave të përhershme në bankë kanë ndarë nga 5% të rrogave të tyre për partinë.
Mes 150 deri 200 persona në nivel qendror dhe lokal kanë ndarë fonde nga të ardhurat mujore. Rrogat kanë qenë nga 30 deri në 40 mijë denarë, ndërsa 5% në muaj janë nga 2 deri më 3 mijë denarë.
Megjithatë, Grubi theksoi se zyrtarisht kanë kërkuar që urdhërpagesa e përhershme pra fondet e ndara nga rroga të jenë në emër personal e jo në emër të institucionit prej ku vijnë. Drejtori i Hekurudhave të Maqedonisë- Infrastruktura, Irfan Asani përgënjeshtroi se ka transferuar para të popullit nga llogaria e ndërmarrjes në adresë të partisë së tij BDI.
Ai ka nënshkruar pëlqim që 5% nga të ardhurat e tij të shkojnë për partinë. Në njoftimin për opinion, ai pohon se asnjëherë nuk ka shpenzuar paratë e ndërmarrjes për qëllime partiake. Ai e akuzoiAntikorrupsionin se nuk di t’i lexojë dokumentet që ua ka dërguar për shqyrtim.